Një ditë pas marrjes në pyetje të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Prokuroria e Posaçme sqaron se ka regjistruar procedim penal për veprat e korrupsionit pasiv dhe aktiv, pastrimit të parave dhe deklarimit të rremë të pasurisë.
Pasi u mor në pyetje të enjten për mbi pesë orë në Prokurorinë e Posaçme, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tha në një mbledhje të Këshillit Bashkiak të Tiranës, fill pas vizitës në prokurori, se çështja ndaj tij ishte kurth. Veliaj pretendoi se denoncuesi nuk ekzistonte dhe se akuzat bazoheshin në një letër anonime.
“Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një Nesti Angoni. Ky person nuk ekziston, e dimë çfarë emri dhe kulture linçuese përfaqëson ky stil”, tha Veliaj.
Një ditë më pas, Prokuroria e Posaçme sqaroi se hetimet, ende në fazë paraprake, kishin gjetur prova për të paktën katër akuza.
“Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal (korrupsioni pasiv), por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal”, thuhet në reagimin e prokurorisë.
SPAK po ashtu bëri me dije se informacioni ishte verifikuar, ndërsa thanë se akuzat ishin regjistruar. “Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Rregjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në reagim.
Veliaj, i cili është kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015 dhe ka qenë më herët deputet dhe ministër, u pyet në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të hetimeve për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë. Hetimet, të drejtuara nga prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado, përqendrohen në dyshime të arsyeshme se kryebashkiaku ka konsumuar elementë të veprës penale, duke përfituar në mënyrë të tërthortë përmes bizneseve të lidhura me familjarët e tij dhe biznesmenin Elman Abule.
Gjatë këtij muaji, Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar telefonin e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, dhe ka ushtruar kontroll në ambientet e qendrës “Harabel” dhe të “Nan Gallery”, të themeluara prej saj. Si pjesë e hetimeve, SPAK ka kontrolluar gjithashtu një apartament dhe një vilë në pronësi të vëllait të kryebashkiakut, Arbër Veliaj, biznesin e tij “Gogel Shpk” dhe kompaninë “Rametal Shpk”, në pronësi të biznesmenit Abule.
Abule është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për pastrim parash në vlera prej miliona eurosh dhe dyshohet se ka lidhje me krimin e organizuar.
Pas akteve të kontrollit të ndërmarra nga Byroja Kombëtare e Hetimit ndaj familjarëve të tij, Veliaj deklaroi se është i hapur ndaj çdo hetimi nga SPAK, ndërsa akuzoi median dhe opozitën për organizimin e një “gjyqi publik”./reporter.al