Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi sot procesi politik hetimin nga SPAK, në një konferencë për shtyp gjatë së cilës deklaroi se procesi kundër tij erdhi pas kërkesës së përsëritur të diplomatëve amerikanë Gabriel Eskobar dhe Juri Kim.
“Ky proces politik kundër Sali Berishës erdhi pas kërkesës së përsëritur të diplomatëve të korruptuar amerikanë Gabriel Eskobar dhe Juri Kim. Kësaj të fundit i kisha denoncuar publikisht në mënyrë të përsëritur aktet e saj korruptive. Pas kërkesës publike të Edi Ramës në asamblenë e partisë së tij në vitin 2022, që Sali Berisha të persekutohej, të ndiqej, të penalizohej”, tha Berisha.
Kreu i PD nënvizoi se, akuza e SPAK është një piramidë mashtrimi.
“Së pari, bazohet në denoncimin e Taulant Ballës me urdhër të Edi Ramës katër vite më parë, sipas të cilit, toka e klubit Partizani ka qenë e shpronësuar nga autoritetet italiane, për rrjedhojë tokë publike dhe Sali Berisha ia ka dhënë dhëndrit të vet dhe familjeve të tjera. Ky është një mashtrim që përbën vepër penale, sepse Fletoret Zyrtare të vitit 1944, 1943, faktojnë se kjo tokë ka qenë e pronarëve që e kanë marrë sot”, tha Berisha.
“Kjo tokë nuk është shpronësuar kurrë nga autoritetet italiane, por vetëm është vënë në rekuizitë dy herë nga gjashtë muaj dhe këto janë dekretet mbretërore të publikuara në gazetën zyrtare të kohës”, shtoi Berisha.
Berisha më pas theksoi se, “destinacionin e një pjese të klubit Partizani e ndryshoi Edi Rama në maj të vitit 2005 në këshillin teknik, dhe e ndryshoi këtë pa asnjë kërkesë të pronarëve të tokës apo të ndonjë institucioni shtetëror”.
“Firma e Sali Berishës, e vendosur 6 muaj më vonë pas vendimit të marrë nga Edi Rama në KRRT-në e tij, është një firmë ex-lege”, tha Berisha, teksa shtoi se, “Edi Rama, në procesin e ndryshimit të destinacionit ka shtatë firma”.