Nga Genc Mlloja
Jo se tha ndonjë gjë të re, por ashpërsia me të cilën kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez deklaroi në krah të presidentit serb Aleksander Vuçiç se vendi i tij do të jetë gjithmonë me Serbinë në mbështetje të sovranitetit e tërësisë së saj territoriale dhe se nuk do ta njohë asnjëherë Kosovën përshkohej nga fryma arrogante e një udhëheqësi të një vendi me një të kaluar të zezë kolonialiste, inkuizioniste e fashiste.
Edhe njeherë Spanja, një vend që çuditërisht e dallojnë si ndër më të rëndësishmit në Bashkimin Europian, me egërsi i transmetoi popullit shqiptar të Kosovës mesazhin se ai nuk ka të ardhme jashtë Serbisë, se vendi i tij është plotësisht pjesë serbe në të gjitha aspektet.
Me armiqësor bëhet ky kumt i zi nga kryeministri i një vendi i rrjeshtuar në frontin anti-shqiptar të Kosovës me katër vende të tjera të BE-së (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro) kur e rikonfimon këtë shantazh në Beograd, në krah të Vuçiçit, në shtëpinë e këtij të fundit i njollosur si zbatues i genocidit serb kundër popullit shqiptarë në krah të ‘kasapit të Ballkanit’ Slobodan Millosheviç.
Dhe më tej për ti vënë vulen e ‘vëllazërimit ’ spanjollo-serb Sanchez i quajti “fantastike” marrëdhëniet politike midis dy vendeve.
Kjo është e drejta e tyre sikurse nuk ka asgjë për tu habitur në harene e Vuçiçit nga ky demonstrim spanjoll i mbështetjes së planit të tij të ripushtimit të Kosovës në kuadër të asaj që deklaroi Sanchez: zbatim i parimit të së drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit dhe integritetit territorial. “Spanja do të jetë gjithmonë me Serbinë në respektimin e këtyre parimeve”.
Gjithmonë Spanjën dhe Serbinë, veç të tjerash, i ka lidhur e kaluara e tyre historike jo vetëm si vende pushtuese por edhe si ndër genocidest më mizor në historinë e njerëzimit. ‘Shenjtorja’ Spanjë i ka duart e lyera me gjak të popujve, që kanë qenë pre e pushtimit të saj dhe ‘lavdia’ mizore e asaj kohe mizore lëvrin në mendjen e klasës politike e segmente të caktuar të popullsisë së kësaj ish- fuqie kolonialiste e fashiste.
Në territor tjetër gjeografik ‘kasapet serbë ’ të Ballkanit janë famëkeq për krimet e njëjta kundër njerëzimit të kryera në periudha të ndryshme ndaj tërë popujve ballkanas dhe etja për gjak nuk i ndal që të shantazhojnë egërsisht shqiptarët e Kosovës, si edhe të krahinës së Preshevës. ‘I lidh gjaku’, e thotë mirë një shprehje popullore. E nga çfarë u mësua publikisht, se pazaret e prapaskenës së erret nuk dihen, vizita e bisedimet e deklaratat ishin nje fuqizim i kësaj lidhje gjaku prej mizori, dhe e trimërojnë Vuçiçin i cili ka arritur deri në atë cak saqë të kërcënojë së pa hequr kryeministrin Albin Kurti nga posti nuk ka dialog me Kosovën.
E meqe u permend dialogu Sanchez nuk kishte se pse të fliste shumë se për të Beogradi është në të drejtën e tij dhe bisedimet me Prishtinën të ndërmjetësuara nga BE-ja janë të kota. Sipas dëshirës së tij, Serbia duhet të ishte me kohë anëtare e BE-së edhe pse Vuçiç tallet me Brukselin lidhur me sanksionet kundër Rusisë si ndëshkim për pushtimin e Ukrainës.
Kështu kryeministri spanjoll shkon në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor me kapitullin e mbyllur për Kosovën që nënkupton ripushtim të saj nga Serbia dhe përjashtim nga ëndërra evropiane.
Sigurisht që për pjesën dërrmuese të vendeve të rajonit pak rëndësi kanë bëmat e Sanchezit në Beograd lidhur me Kosovën, megjithëse ndonjë është realisht i kërcënuar prej tij. Kështu kanë ardhur punët që fantazma e “Botës Serbe” të bëjë të dridhen tërë vendet e rajonit…
Por, çuditërisht, edhe Tiranës zyrtare, e as propagandës së kontrolluar nga Kryeministri Edi Rama, nuk i ka interesuar aspak shantazhimi i popullit shqiptar të Kosovës ndërkombëtarisht. Rama nuk mund të perzihej në grindjen e ‘vellait’ Vuçiç me fqinjët kosovarë. Domosdoshmërisht ai ka përgëzuar Vuçiçin që e bëri Spanjën të rikonfirmoje mbështetje për “Ballkanin e Hapur”. E kjo do të jetë velloja e gëzimit në qëndrimin e Sanchezit në Tiranë. Sigurisht do të ketë propagandë me tonelata për fillimin e bisedimeve me BE-në, do të lartësohet roli në këtë hap i Spanjës, e cila, në fakt, është e lumtur që Ballkani Perendimor është i përçarë deri në atë masë saqë as e vrasin mendjen që një vend si Kosova është nën kërcënimin serb.
Mulliri do të xhiroje bosh për bashkëpunimin ekonomik e tregtar midis Shqipërisë e Spanjës se shifrat tregojnë për një histori fatkeqe në këtë aspekt historikisht, kurse slloganet për ‘shkëlqimin ’ e marrëdhënieve politike dypalëshe do të derdhen lumë.
Por ka ndodhur një gjë se Rama këtë radhë nuk do t’mund t’ia kaloj në shkelqim Vuçiçit i cili tregonte në profilin e tij në Instagram një foto nga darka e organizuar për nder të kryeministrit spanjoll, ku këngëtarja serbe Jelena Tomasevic interpretoi këngën “Oro” në spanjisht. “Jelena Tomasevici jone i këndoi (Sanchezit) këngën ‘Oro’ në spanjisht, e cila dha një ton të veçantë në këtë mbrëmje”, shkruante Vuçiç.
Megjithatë një dhuratë kryeministri spanjoll e ka marrë që tani nga Tirana zyrtare: ai vazhdon të jetë i mirëpritur nga qeveria shqiptare edhe pse kreu i qeverisë së Madridit na i ‘pushkatoi’ vëllezërit shqiptarë të Kosovës gjatë vizitës në Beograd duke mbështetur marrëzisht serbomedhejt vuçiçiane pasues të Millosheviçit për ripushtimin e Kosovës e duke ua prerë rrugët drejt Europës sepse, sipas pinjollit spanjoll të kryqazatave e inkuizionit e fashizmit, çdo rrugë e Prishtinës duhet të kaloje nga Beogradi. Heshtje varri në Tiranë për kryqëzatën serbo-spanjolle kundër Kosovës e popullit shqiptarë, sytë e goja e mbyllur e qeveritareve e diplomacisë shqiptare që duket e mbajnë kot atë vend në Këshillin e Sigurimit. Sa shumë kanë pritur shqiptarët kosovarë … por më kot!
Po ata nuk janë ligështuar edhe në kohë më të errta dhe nuk bëjnë habi nga veprimet apo mosveprimet e Tiranës zyrtare kur është në mes ‘vëllai i madh’ Vuçiç. Kosova ka mbështetjen ndërkombëtare dhe shumë politikanë, diplomate e analistë ndërkombëtare e rajonale nuk ngurojnë, nuk lodhen t’ia rikujtojnë kujtdo se Kosova është vend i pavarur dhe sovran.
“Kosova është shtet sovran. Po ashtu ai ka të drejta ligjore të vendosë vetë nëse do të marrë pjesë në ‘Ballkanin e Hapur’ apo jo. Nuk mendoj se mund të hiqet kryeministri i Kosovës (Albin Kurti); ai është zgjedhur nga populli i Kosovës në zgjedhje dhe ka obligime ndaj Kushtetutës së Kosovës. Është më se e qartë se kryeministri (Edi) Rama dhe presidenti (Aleksander) Vuçiç kanë një bashkëpunim më të ngushtë, Ballkani i Hapur, por kam lexuar diku edhe se ata e quajnë njëri-tjetrin ‘vëllezër’,” tha një diplomat i lartë në kushte anonimiteti. E me tej diplomati theksoi se askush nuk mund të heq ndonjë zyrtar nga postet në asnjë shtet.
Sanchezi do të vije e do të shkoje, lavde do ti thuren kryeministrit Rama në Tiranë dhe një lavdërim i veçantë do të jetë nga kryeministri spanjoll, që ai nuk ‘përzihet ’ në histerinë pushtuese të Vuçiçit serb ndaj popullit shqiëtarë të Kosovës!
/Argumentum.al