Genc Mlloja
Pak ditë kanë kaluar nga punimet e Kongresit Kombëtar të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) ku u shpall në detaje platforma historike për kthimin e Kinës në një vend të madh socialist modern në të gjitha aspektet dhe nxitja e përtëritjes së kombit kinez nëpërmjet rrugës kineze të modernizimit. Jehona e këtij objektivi madhor vazhdon brenda e jashtë vendit dhe njëkohësisht interesi i komunitetit ndërkombëtar për të dëgjuar ballë për ballë udhëheqjen e fuqisë së dytë më të madhe ekonomike në botë mbi realitetin e ‘mrekullisë’ kineze në zhvillim e sipër është në rritje.
Kësisoj në ditët e para të nëntorit (1-4 nëntor 2022) ‘zbarkuan’ në Pekin njëri pas tjetrit autoritete të rangut më të lartë të katër vendeve ndër më të rëndësishmit në botë dhe për hir kortezie diplomatike po i radhazi në bazë të datave të fillimit të vizitave të tyre: Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Vietnamit Nguyen Phu Trong (30 tetor – 2 nëntor), Kryeministri i Pakistanit Shahbaz Sharif (1 nentor), Presidentja e Republikës se Bashkuar të Tanzanisë Samia Suluhu Hassan (2-4 nëntor), dhe Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz (4 nëntor).
Ky pelegrinazh vizitash e bisedimesh vibrante të këtyre liderëve në Pekin, që me plot gojën mund ti quajmë të privilegjuar që vizitojnë Kinën fill pas kongresit të 20-të, është dëshmi se pjesa dërmuese e komunitetit ndërkombëtar, fuqi të mëdha, vende të zhvilluara dhe vende në zhvillim, organizatat më prestigjioze ndërkombëtare e miq të popullit kinez në të katër anët e botës i mbështesin, i kuptojnë dhe i mirëpresin idetë dhe qasjet konstruktive e pragmatiste diplomatike të Kinës si rrugë efikase në interes reciprok për zhvillim dhe përballim të krizës globale e shoqëruar kjo aktualisht me një frymë rreziku të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore. Nga ana tjetër, është e kuptueshme se udhëheqësit e pjesës dërmuese të vendeve të botës janë të etur seriozisht për të mësuar më shumë në takime të drejtpërdrejta me autoritetet më të larta të Pekinit hollësira e shpjegime mbi të panjohurat që mund të kenë lidhur me stadin e ri të zhvillimit të këtij vend të madh aziatik në epokën e re, i cili ofron bashkëpunim me leverdi efikase e reciproke në vend të hegjemonisë, i cili garanton paqe në vend të nxitjes së konflikteve, i cili zotohet për të kontribuar për një botë më të mire dhe jetë më të begatë për tërë popujt.
Domosdo askush nuk e di agjendën e ardhshme diplomatike të ngjarjeve të tilla diplomatike sikurse këto që ndodhën në 4 ditë historike, por një gjë mund të thuhet me siguri se lista e vizitorëve të rangut të lartë në kryeqytetin kinez në të ardhmen e afërt është e gjatë.
Presidenti Xi Jinping e ka dhënë mesazhin pasi u rizgjodh sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të 20-të të PKK-së se Kina do të hapë derën e saj më shumë për pjesën tjetër të botës dhe do të jetë e palëkundur në thellimin e reformave dhe hapjen në të gjithë drejtimet, dhe në zbatimin e zhvillimit me cilësi të lartë. Një Kinë e begatë do të krijojë shumë më tepër mundësi për botën, tha ai.
Xi dha edhe mesazhin tjetër të rëndësishëm në takimin me shtypin më 23 tetor pas përfundimit të punimeve të Kongresit të 20-të të PKK-së se “Ne do të punojmë me popujt e të gjitha vendeve të tjera për të mbrojtur vlerat e përbashkëta të njerëzimit të paqes, zhvillimit, ndershmërisë, drejtësisë, demokracisë dhe lirisë për të mbrojtur paqen globale dhe për të promovuar zhvillimin global dhe për të vazhduar promovimin e ndërtimit të një komuniteti njerëzor me një të ardhme të përbashkët”.
Tren i mallrave që udhëton midis Kinës dhe Vietnamit(Foto:Xinhua)
Duke parë pozicionet gjeografike të vendeve autoritetet e të cilave vizituan Kinën këto ditë vihet re se politika e jashtme kineze është gjithëpërfshirëse në marrëdhëniet me botën e jashtme, zbaton përparësitë e kërkesave të kohës si për vendin e vet ashtu edhe për mbarë botën, duke hedhur baza të forta për të ardhmen e përbashkët të komunitetit njerëzor.
Aq sa ka qenë e mundur të mësohet nga informacionet e dhëna nga burime të ndryshme, që në fakt kanë qenë të bollshme e shumë objektive nga mediat kineze, duket qartë se secila vizitë ishte tejet e rëndësishme por e përbashkëta e tyre qëndronte në interesin e Kinës dhe të vendeve në fjalë për të rritur e diversifikuar bashkëpunimin e gjithanshëm pavarësisht ndryshimeve në sisteme shoqërore dhe nivelin e zhvillimit, si dhe për të kontribuar sinqerisht në rivendosjen e paqes në mbarë botën. Kuptohet bisedimet dhe rezultatet e tyre kanë patur të veçantat e tyre specifike rast pas rasti e jo çdo gjë mund të bëhet publike, por i rëndësishëm është mirëkuptimi i ndërsjellë i deklaruar që edhe për ndryshimet në qëndrime u kërkuan rrugë për ti kapërcyer ata e për të mos lejuar që të krijohen keqkuptime e të vendosen barriera aq më keq kur ata imponohen nga fuqi të treta.
Nuk është rastësi që kancelari gjerman Olaf Scholz u bë i pari udhëheqës i Bashkimit Europian dhe G7-tës që vizitoi Pekinin pas Kongresit dhe që nga shpërthimi i pandemisë kovidiane, duke dëshmuar me sa duket vazhdimësinë e vullnetit të vendit të tij dhe të qarqeve të ndryshme politike, ekonomike, e sociale për të forcuar bashkëpunimin me Kinën në epokën e re. Në një situatë të re si kjo tani si për Kinën ashtu edhe për Gjermaninë e BE-në dhe botën në përgjithësi vizita e Scholz përforcoi analizat e parashikimet e shumta se kjo fuqi e madhe europiane do të ndjek rrugën tradicionale të ish- kancelares Anxhela Merkel lidhur me marrrëdhëniet strategjike kino- gjermane.
Kishte kaluar një kohë e gjatë që udhëheqësit kinezë dhe gjermanë nuk kishin pasur komunikim ballë për ballë për shkak të pandemisë, por duhet thënë se vizita e Scholz dhe bisedimet me udhëheqësit kinezë u zhvilluan në sfondin e një periudhë festive kur Kina dhe Gjermania festojnë 50- vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Pesë dekada, sikurse e pranojnë të dy palët, kanë qenë kohë për të arritur nivele të larta bashkëpunimi në të gjitha fushat dhe mirëkuptim reciprok midis popujve, si dhe për të gjetur pikëtakimet lidhur me një gamë të gjerë të aspekteve të gjendjes ndërkombëtare.
Disa e kishin ‘këshilluar’ kancelarin Scholz që të mos e bënte këtë udhëtim – 23 orë fluturim për t’u takuar dy orë me Presidentin kinez. Por avioni i kreut të qeverisë gjermane me të gjithë shoqëruesit e tij zbritën në kohë të premten e kaluar në mëngjes në aeroportin e Pekinit pak pas orës 9:30, sipas Bild më 4 nëntor. “Kinë, ja ku erdha! Një vizitë inauguruese e Scholz tek lideri i sapo rizgjedhur, Xi Jinping!” shkruante gazeta e lartëpërmendur duke raportuar nga Pekini.
Pesidenti kinez Xi Jinping takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz (Foto:Xinhua)
Më shumë se 70 persona ishin në bordin e avionit qeveritar: kancelari dhe ekipi i tij, një sekretar parlamentar shtetëror nga të Gjelbrit i Ministrisë së Çështjeve Ekonomike, 11 drejtorë ekzekutivë të kompanive më të rëndësishme gjermane (duke përfshirë Bayer, BASF, Volkswagen, Siemens, Merck, Adidas, BMW dhe Biontech) dhe Stefan Hipp nga gjigandi i ushqimeve për fëmijë, plus 23 gazetarë. Dhe agjenda e vizitës përfshinte 2 orë bisedime me presidentin Xi Jinping, një pritje në sallën e artë në katin e tretë të Sallës së Madhe të Popullit, dhe një takim prej një ore me kryeministrin Li Keqiang- duke përfshirë nderimet ushtarake.
Para vizitës zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Hebestreit ritheksoi në një konferencë për shtyp qëndrimin e kancelarit, i cili mbështet globalizimin dhe kundërshton shkëputjen nga Kina. Në përgjigje të pyetjes së gazetarit të CMG-së para vizitës zëdhënësi vuri në dukje: Kancelari Scholz ka ritheksuar në raste të ndryshme se nuk mbështet shkëputjen nga Kina dhe duhet të realizohet diversifikimi dhe minimizimi i rrezikut (të zinxhirëve të furnizimit). Kjo do të thotë se nevojitet bashkëpunimi me shumë vende. Modeli botëror po zhvillohet nga polarizimi Lindje-Perëndim në shumëpolarizimin dhe Kina është një pol i rëndësishëm. Nëse Europa mund të marrë një vendim të mençur, mund të jetë një ndër ato pole.
Kjo deklaratë mund të konsiderohet në tërë përmbajtjen e saj si sinteze e qëndrimit gjerman përkundrejt disa zërave, që përçojnë frymën e frenimit të marrëdhënieve Kinë-Gjermani, por edhe tregues i rolit te Berlinit në BE sa i përket bashkëpunimit midis Kinës dhe këtij grupimi politiko-ekonomik në kontinentin europian si aset gjeopolitik.
Dhe në këtë kuadër është me interes të evidentohet një njoftim i shpërndarë nga shtypi francez sipas të cilit Presidenti i Francës Emmanuel Macron kishte hedhur idenë e një vizite të përbashkët me kancelarin gjerman Scholz, por ky i fundit nuk e kishte pranuar një gjë të tillë…
Megjithatë, sipas njoftimeve të shtypit francez, Presidenti i Francës Macron pritet të vizitojë Kinën në fillim të vitit të ardhshëm.
Pa asnjë mëdyshje vizita e Scholz kishte ngjallur interesim të madh në qarqet e ndryshme të Gjermanisë si shprehje e pritshmërive të tyre, që vizita e parë e kancelarit në Kinë do të nixste më tej bashkëpunimin e lavdërueshëm midis dy vendeve. Vetë fakti që kancelari shoqërohej nga një delegacion i përbërë prej politikanësh dhe biznesmenësh nga fusha të ndryshme dëshmon se interesi gjerman ishte i lartë si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik. Drejtorja e Kompanisë së Magazinimit dhe Logjistikës Portuale të Hamburgut (HHLA) Angela Titzrath vuri në dukje se Gjermania është një ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kinës dhe se kjo e fundit është partneri më i madh tregtar i Gjermanisë, çka përbën bazën për prosperitetin e ndërsjellë të të dy vendeve. Ajo u tha gazetarëve se një dekadë më pare Kina mësoi nga përvoja e përparuar e Gjermanisë në automjete, logjistikë dhe fusha të tjera, ndërsa sot është Gjermania që mëson nga arritjet e Kinës në digjitalizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, etj.
Presidenti kinez Xi Jinping takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz(Foto:Xinhua)
Koha e vizitës së Scholz në Kinë ishte shumë e veçantë. Bota është në trazira, duke u përballur me shumë kriza, si pandemia, lufta në Ukrainë, konfliktet rajonale, kriza energjetike e ushqimore, ndryshimet klimatike, etj. Në rrethana të tilla asnjë udhëheqës i përgjegjshëm nuk mund të injorojë të vërtetën kokëfortë të realitetit ekonomik. Kina ka qenë partneri më i madh tregtar i Gjermanisë për vite me radhë, me tregtinë dypalëshe të mallrave afër 246 miliardë euro (245.09 miliardë dollarë) vitin e kaluar. Ndryshe nga sa supozojnë disa kritikë perëndimorë, lidhjet ekonomike dhe tregtare kino-gjermane nuk kanë qenë asnjëherë të dobishme në mënyrë të njëanshme. Me të dyja ekonomitë të varura dukshëm nga tregu ndërkombëtar dhe reciprokisht plotësuese, afërsia e veçantë mes tyre ka qenë rezultat i logjikës normale të tregut. Sikur pala kineze të kishte “armatosur” tregtinë, siç pretendojnë disa në Perëndim, nuk do të kishte pasur prezencë të konsiderueshme të biznesit gjerman në Kinë. Fakti që shumica e prodhuesve gjermanë të automobilave kanë krijuar sipërmarrje të përbashkëta me firmat kineze, madje disa kanë rritur investimet në mes të turbullirave aktuale politike, dëshmon jo vetëm tërheqjen e potencialit të madh të tregut kinez, por edhe besimin e tyre në bashkëpunim.
Presidenti kinez Xi Jinping deklaroi gjatë takimit me kancelarin gjerman Olaf Scholz më 4 nëntor se ai ishte lideri i parë europian që vizitonte Kinën pas Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së dhe se kjo është vizita e tij e parë në Kinë si Kancelar Federal. Vizita do të rrisë më tej mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë midis dy palëve dhe do të thellojë bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe do t’u japë të dy palëve një mundësi për të planifikuar rritjen e lidhjeve dypalëshe në vijimësi, tha Xi i cituar nga Xinhua.
Duke theksuar se ky vit shënon 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Kinë-Gjermani, Xi tha se rrugëtimi pesëdhjetëvjeçar tregon se për sa kohë që të dyja palët ndjekin parimet e respektimit të njëri-tjetrit, duke kërkuar bazë të përbashkët e duke u treguar të matur lidhur me dallimet, duke iu përmbajtur shkëmbimeve dhe mësimit të ndërsjellë dhe duke ndjekur bashkëpunimin me përfitim të ndërsjellë, lidhjet dypalëshe do të vazhdojnë të ecin në drejtimin e duhur në përgjithësi, duke arritur përparim të qëndrueshëm.
Përballë peizazhit kompleks dhe fluid ndërkombëtar, Xi nënvizoi nevojën që Kina dhe Gjermania, dy vende të mëdha me ndikim të madh, të punojnë së bashku në kohë ndryshimi dhe paqëndrueshmërie dhe të kontribuojnë më shumë për paqen dhe zhvillimin global.
“Shkatërrimi i besimit politik është i lehtë, por rindërtimi i tij është i vështirë, kështu që kërkohet që të dyja palët të kujdesen për të”, deklaroi Xi në takim sipas Xinhua.
Duke prekur një temë jetike për njerëzimin Presidenti Xi i tha kancelarit gjerman se ai kundërshton përdorimin e forcës bërthamore në Europë, deklaratë që konsiderohet nga analistët si referim i drejtpërdrejtë mbi nevojën për të parandaluar përshkallëzimin e luftës së Rusisë në Ukrainë. Jo rastësisht kjo deklaratë u bë menjëherë kryetema e të gjithë mediave botërore e sigurisht ka tërhequr vëmendjen e të gjithë kancelarive botërore.
Zyrtarët e Kremlinit, përfshirë ish-presidentin Dmitry Medvedev, kanë paralajmëruar muajt e fundit për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore taktike në Ukrainë, ndërsa lufta ka hyrë në muajin e saj të dhjetë.
Xi i bëri gjithashtu thirrje komunitetit ndërkombëtar “të kundërshton kërcënimin e armëve bërthamore” dhe të shprehej kundër një luftë bërthamore për të parandaluar “krizën në kontinentin Euro-Aziatik”. A ka zotim më paqësor se ky në këto momente? A kanë justifikim disa luftënxitës perëndimor, që skemat e tyre konfliktuale të mundohen t’ia adresojnë Kinës? Koha po tregon të vërtetën e gjërave…
Ndërkohë udhëheqësi kinez Xi trajtoi me Scholz nevojën e përbashkët për të siguruar stabilitetin e zinxhirëve të furnizimit me ushqim dhe energji. Kjo thirrje merr vlerë jetike kur mbarë bota po zhytet në një krizë të dyfishtë- ushqimore dhe energjetike përmasat e të cilës kanë dalë jashtë çdo parashikimi.
Nga ana e tij, kancelari gjerman Scholz shpalli nga Pekini mesazhin e qartë, i cili në fakt është thelbi i platformës së lidhjeve kino-gjermane: biznesi i Gjermanisë me ekonominë e dytë më të madhe në botë duhet të vazhdojë!
“Është mirë që ne jemi në gjendje të kemi shkëmbim (mendimesh) këtu për të gjitha çështjet, duke përfshirë ato çështje lidhur me të cilat kemi këndvështrime të ndryshme – ky është edhe qëllimi i shkëmbimeve të tilla”, tha Scholz. Në këtë kuadër, për shembull, ai mohoi se Gjermania ndërhyn në çështjet e brendshme kineze lidhur me të drejtat e njeriut të pakicave në rajonin Xinjiang të Kinës, duke dhënë mesazhin e qartë se Berlini i qëndron larg përdorimit të një çështje të tillë si kartë presioni.
Ekspozita e Importit e Kinës në zhvillim e sipër në Shangai(Foto:VCG)
Ndërkohë kancelari ishte shpresëplot për të zhvilluar më tej bashkëpunimin ekonomik gjermano-kinez në fusha të tjera si ndryshimet klimatike, siguria ushqimore, vendet me borxhe etj.
Raportohet se të dy liderët shkëmbyen mendime edhe për luftën në Ukrainë. Kina mbështet Gjermaninë dhe BE-në për të luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e bisedimeve të paqes dhe ndërtimin e një kuadri të ekuilibruar, efektiv dhe të qëndrueshëm europian të sigurisë, tha Xi. Ndërkohë njoftohet që Scholz ti ketë kërkuar udhëheqjes kineze të bëjë më shumë për të ushtruar ndikimin e saj ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë. “I thashë presidentit (Xi) se është e rëndësishme që Kina të përdorë ndikimin e saj ndaj Rusisë”, tha kancelari në një takim me shtypin në Pekin më 4 nëntor.
Scholz zhvilloi gjithashtu bisedime me kryeministrin kinez Li Keqiang dhe bëri thirrje për tregti të drejtë midis dy vendeve. Konkretisht Scholz tha se Kina është një partner i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar i Gjermanisë dhe Europës dhe vendi i tij është i gatshëm të thellojë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me të. Gjermania mbështet me vendosmëri liberalizimin e tregtisë dhe globalizimin ekonomik dhe kundërshton “shkëputjen”, theksoi ai.
Kina ishte partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë në vitin 2021 për të gjashtin vit radhazi. Vëllimi tregtar mes tyre është rritur në më shumë se 250 miliardë dollarë në vitin 2021 nga më pak se 300 milionë dollarë në fillimin e marrëdhënieve diplomatike. Kjo shifër flet, pa dyshim, për nivelin e lartë të shkëmbimeve kino-gjermane, e nga ana tjetër është dëshmi e ritmeve impresionante të zhvillimit të gjithanshëm të Kinës!
Në nëntë muajt e parë të këtij viti, investimet e huaja direkte në territorin kinez u zgjeruan 15.6 për qind nga viti në vit në 1.00376 trilion juanë. Në terma të dollarëve amerikanë, fluksi hyrës u rrit 18.9 për qind nga viti në vit në 155.3 miliardë dollarë, sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë së Kinës
Përpjekjet e Xi-së për të forcuar lidhjet me Gjermaninë janë me sa duket pjesë e një iniciative më të gjerë për të parandaluar çdo stanjacion në marrëdhëniet me Bashkimin Europian. Vitin e kaluar, BE-ja ndërpreu një marrëveshje investimi me Kinën pasi të dyja palët shkëmbyen sanksione mbi Xinjiang-un, e në këtë mes shkaktar ishin SHBA-të, të cilët akuzuan Pekinin për genocid. Kina i ka mohuar të gjitha këto akuza me fakte duke i denoncuar si pjesë e fushatës anti-kineze të Uashingtonit, i cili i bën presion edhe BE-së ta ndjek pas në frymën anti-kineze.
“Ky është një moment kritik si për Gjermaninë ashtu edhe për Kinën. Marrëdhënia e tyre mund të mos bazohet në vlera të përbashkëta politike, por në interesa reciproke, në luftën e përbashkët kundër ndryshimeve klimatike dhe vullnetin e fortë për të ndërtuar një botë shumëpalëshe”, tha Song Xin. ish-këshilltar politik në Parlamentin Evropian, në një artikull të botuar në CGTN.
Ndërkohë sikurse e përmenda edhe më sipër vend të veçantë patën në këtë maratonë vizitash elitare në Pekin në harkun kohor 1-4 nëntor 2022 edhe bisedimet e udhëheqësve më të lartë partiakë e shtetërorë të Kinës dhe Vietnamit popujt e të cilave janë të lidhur me një miqësi tradicionale dhe lufta e popullit vietnamez kundër imperializmit amerikan, që kishte pushtuar Vietnamin e Jugut, Kamboxhian e Laosin, ka lënë gjurmë të pashlyeshme ndër këta popuj. Akoma janë të freska krimet monstruoze të imperializmit amerikan në të tre këto vende gjatë viteve 60 e 70, dhe për nga egërsia e tyre çnjerëzore është çudi si udhëheqja amerikane e asaj kohe nuk ka përfunduar në Gjykatën e Hagës për genocidin barbar që u është bërë atyre popujve me të gjitha llojet e armatimeve, përfshi edhe bombat me napalm. Ndihma e solidariteti i popullit kinez janë të pashlyeshme për popullin vietnamez dhe ata kamboxhian e laosian.
Në bisedimet me Nguyen Phu Trong, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Vietnamit, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe president i vendit, Xi Jinping shprehu shpresën se të dyja palët duhet të forcojnë në kohën e duhur komunikimin e nivelit të lartë dhe shkëmbimin e pikëpamjeve për çështjet kryesore që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe. Ai bëri thirrje gjithashtu për konsolidimin e themelit ekonomik socialist nga të dyja palët.
Kina është e gatshme të punojë me Vietnamin për të sinergjizuar strategjitë e tyre të zhvillimit, për të promovuar lidhjen midis dy vendeve dhe për të thelluar bashkëpunimin në kujdesin shëndetësor, zhvillimin e gjelbër, ekonominë digjitale dhe ndryshimet klimatike, tha Xi.
Në rrethanat e reja, të dyja palët duhet të fokusohen në të ardhmen dhe të punojnë për një kohë të gjatë për të çuar përpara miqësinë tradicionale të “shokëve dhe vëllezërve” e ushqyer nga brezi i vjetër i liderëve, të forcojnë shkëmbimet mes njerëzve, të rrisin njohjen e ndërsjellë dhe miqësinë mes brezave të rinj të dy vendeve, si dhe të thellojnë bashkëpunimin në fushën e shtypit dhe publicitetit, në mënyrë që të krijohet një atmosferë favorizuese e opinionit publik për marrëdhëniet dypalëshe, shtoi ai.
Xi theksoi se Kina e konsideron ASEAN-in si një prioritet në diplomacinë e saj të fqinjësisë dhe një rajon kyç në bashkëpunimin me cilësi të lartë “Një brez, një rrugë”, dhe vlerëson pozicionin dhe rolin e Vietnamit në ASEAN.
“Ne presim të punojmë me Vietnamin për të përshpejtuar ndërtimin e një shtëpie paqësore, të mbrojtur dhe të sigurt, të begatë, të bukur dhe miqësore së bashku dhe për të promovuar integrimin ekonomik rajonal në Azinë Lindore”, tha ai.
Trong falënderoi Xi për ftesën e tij për të qenë në krye të udhëheqësve vietnamezë si delegacioni i parë i nivelit të kreut të shtetit që viziton Kinën që nga Kongresi i 20-të Kombëtar i PKK-së. Trong tha se ai kishte përmbushur gjithashtu zotimin e tij për ta bërë Kinën destinacionin e tij të parë jashtë vendit pas rizgjedhjes së tij si sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKV-së.
Ai tha se Vietnami nuk do të lejojë asnjë vend të krijojë një bazë ushtarake në Vietnam, ose të bashkohet me ndonjë aleancë ushtarake, ose të përdorë forcë kundër ndonjë vendi, ose të punojë me një vend për të kundërshtuar një tjetër.
Vietnami do të avancojë partneritetin gjithëpërfshirës strategjik të bashkëpunimit me Kinën bazuar në politikën e stabilitetit afatgjatë, të largpamësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit gjithëpërfshirës dhe frymës së të qenit fqinjë, miq, shokë dhe partnerë të mirë, tha ai.
Pas bisedimeve, të dy liderët morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të dokumenteve të bashkëpunimit për partitë politike, ekonominë dhe tregtinë, mbrojtjen e mjedisit, kulturën dhe turizmin, drejtësinë, doganat dhe pushtetin vendor.
Kur Kina vazhdon të jetë partneri më i madh tregtar i Vietnamit, pavarësisht ndikimit negativ të shkaktuar nga pandemia COVID-19, dhe sipas të dhënave importet e Vietnamit nga Kina u rritën 30 për qind për të arritur në 110 miliardë dollarë në vitin 2021, marrëveshjet e reja janë një hop i ri në nxitjen e bashkëpunimit të gjithanshëm.
Presidenti kinez Xi Jinping takohet me kryeministrin pakistanez(Foto:Xinhua)
Vizita e bisedimet qe zhvilloi kryeministri i Pakistanit Shahbaz Sharif në Pekin me Presidentin Xi Jinping dhe Kryeministrin Li Keqiang dëshmuan rëndësinë që të dy palët i kushtojnë bashkëpunimit strategjik midis Kinës e Pakistanit. “Kjo është vizita juaj e parë në Kinë që kur morët detyrën e kryeministrit. Unë besoj se kjo vizitë do t’i japë një impuls të ri partneritetit të bashkëpunimit strategjik në të gjitha rrethanat ndërmjet Kinës dhe Pakistanit”, i tha Xi Sharifit. Ai vuri në dukje gjithashtu se Kina do t’ i japë më shumë ndihmë Pakistanit për rindërtimin pas përmbytjeve të mëdha.
Për Pakistanin, i cili veç problemeve të brendshme politike, ekonomike e sociale, kishte rëndësi rikonfirmimi i mbështetjes i shprehur nga Xi, i cili i deklaroi kreut të qeverisë së atij vendi se Kina do të vazhdojë të mbështesë me vendosmëri Pakistanin në ruajtjen e sovranitetit, integritetit territorial, interesave dhe dinjitetit të zhvillimit, si dhe në arritjen e unitetit, stabilitetit, zhvillimit dhe prosperitetit.
Të dy palët ranë dakord që të rivitalizojnë Komitetin e Përbashkët të Bashkëpunimit të Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan (CPEC) dhe të avancojnë CPEC me efikasitet më të madh dhe ta bëjnë atë një shembull të bashkëpunimit me cilësi të lartë Një Brez, Një Rrugë. Interesi i të dy vendeve ishte i madh për bashkëpunim në të gjitha fushat, dhe Pakistani vlerëson lart ndihmën kineze për të përballuar krizën e rëndë financiare në vend.
Ishte i drejtëpërdrejtë kryeministri pakistanez Sharif kur deklaroi se bota nuk mund të funksionojë pa Kinën dhe zhvillimi i Kinës nuk mund të izolohet apo të frenohet nga asnjë force. Ai shprehu besimin e tij se presidenti Xi, me vizionin e tij të jashtëzakonshëm, do të vazhdojë ta udhëheqë Kinën drejt arritjeve edhe më të jashtëzakonshme dhe të krijojë një të ardhme më të ndritur për botën.
Sharif kishte vizituar Kinën për herë të parë në vitin 1981 dhe që atëherë ai ka qenë dëshmitar i transformimit të jashtëzakonshëm të këtij vendi përmes vizitave të tij të shumta.
“Vështirë se mund të shihje një makinë në rrugë, (vetëm) autobusë dhe biçikleta në vitin 1981”, tha ai në një intervistë me Xinhua. “Dhe me kalimin e viteve i gjithë vendi është transformuar dhe është bërë ekonomia e dytë më e madhe në botë. Kjo është një mrekulli e llojit të saj… Unë mendoj se është për shkak të përkushtimit, udhëheqjes vizionare të Partisë Komuniste të Kinës, të udhëheqësve të saj, të vizionit dhe sakrificave”, tha ai. Kongresi i 20-të Kombëtar i PKK-së përcolli një mesazh shumë të fuqishëm në mbarë botën se Kina qëndron në krah të vazhdimësisë, stabilitetit dhe bashkëjetesës paqësore, tha kryeministri pakistanez në intervistë.
Ndërkohë vizita e Presidentes së Tanzanisë Samia Suluhu Hassan në Pekin mori vlerë të veçantë për të dy vendet sepse në takimin me Presidentin Xi të dy udhëheqësit bënë të ditur për publikun vendas dhe mbarë botën se marrëdhëniet kino-tanzaniane ngrihen në nivelin e partneritetit të bashkëpunimit të gjithanshëm strategjik.
Të dy palët ishin të mendimit se Kina dhe Tanzania gëzojnë një miqësi të vjetër dhe se një zhvillim i mëtejshëm i marrëdhënieve kino-tanzaniane jo vetëm çon përpara interesat e përbashkëta e afatgjatë të dy vendeve por edhe ka rëndësi të madhe për ndërtimin e një komuniteti kino-afrikan me një të ardhme të përbashkët në epokën e re.
Presidenti kinez Xi Jinping pret homologen nga Tanzania(Foto:Xinhua)
Përmenda më lart dinamikën e gjeografisë së vizitave më të fundit në Pekin dhe në këtë rast ‘harta’ diplomatike bëhet më e madhe duke patur parasysh kryesimin e takimit të katërt të nënkomitetit politik dhe diplomatik në kuadër të Komitetin të Përbashkët të Nivelit të Lartë Kinë-Arabia Saudite më 27 tetor nga Këshilltari i Shtetit dhe Ministër i Jashtëm kinez Wang Yi, së bashku me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Princin Faisal bin Farhan Al Saud.
Wang tha se Kina mbështet Arabinë Saudite që të luaj një rol më të madh në çështjet ndërkombëtare dhe rajonale. Kina është e gatshme të rrisë komunikimin dhe koordinimin me Arabinë Saudite për çështjet e nxehta në Lindjen e Mesme, të ruajë së bashku paqen dhe stabilitetin rajonal dhe të forcojë koordinimin me Arabinë Saudite në platforma shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara, BRICS, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait dhe G20.
Nga ana e tij, Faisal ofroi urime për suksesin e Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së, duke thënë se Arabia Saudite i vendos gjithmonë marrëdhëniet e saj me Kinën në një pozicion prioritar midis marrëdhënieve të saj me vendet në mbarë botën. Sipas tij, Arabia Saudite i përmbahet parimit të një Kine, kundërshton me vendosmëri ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës dhe kundërshton me vendosmëri politizimin e çështjes së të drejtave të njeriut.
Kuptimplotë ishte konfesioni i sinqertë i lartëpërmendur i kryeministri të Pakistanit Shahbaz Sharif, i cili deklaroi se bota nuk mund të funksionojë pa Kinën dhe zhvillimi i Kinës nuk mund të izolohet apo të frenohet nga asnjë force. Dhe katër vizitat e nivelit të lartë në Pekin në katër ditët e para të nëntorit 2022 dhe fill pas Kongresit të 20-të të PKK-së janë tregues i kësaj të vërtete që dëshmon një vitalitet të vrullshëm të politikës së jashtme të Kinës dhe diplomacisë së saj në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të vendit dhe prosperitet të popullit të saj, por edhe si kontribut i pashoq për forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit kudo në botë. /CRI