Historiani shqiptar, Pëllumb Xhufi e ka konsideruar Mitrovicën e veriut si vatër të problemeve jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë dhe se është dakord që ajo të jepet për Preshevën.
“Të mos harrojmë që kemi një pjesë të trevave shqiptare që ndodhen në lindje. Presheva, Medvegja, Bujanovci, trendi është shumë shqetësues ka një zbrazje të popullsisë nga kushtet që krijojnë serbët, me presione ushtarake, administrative dhe policore. Tendenca është për t’u zbrazur këto zona, unë gjykoj se kur bëhet fjalë për shkëmbim territoresh, shpresoj të përfshihet në kufirin e Kosovës, nëse shkon çështja në ndryshime të tilla. Duhet të jemi realist në kufirin verior, ka ndodhur një spastrim etnik. Mitrovica sot është një vatër e agresivitetit serb, e nacionalizmit, dhe kriminalitetit serb. Mitrovica e Veriut është koncentrat problemesh jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Unë do isha dakord që te jepej Mitrivica e Veriut e të merrej Presheva, dhe krahinat e tjera“, tha ai në një emision televiziv.
Gjithashtu, ai komentuar edhe marrëveshjen e para disa viteve të ashtuquajtur “Zajednica”. Sipas Xhufit, Zajednica brenda Kosovës, është një republikë Serbska në territorin kosovar.
“Një marrëveshje e pakuptueshme që u bë me shpejtësi nga qeveria e asaj kohe. Ajo është një marrëveshje që pot a lexosh, ka vetëm detyrime të palës shqiptare, asnjë detyrim që është i fiksuar në konventat evropiane, ku popullsitë duhet të njohin shtetin ku jetojnë. Asnjë nga këto nuk ishte, vetëm detyrime. Sipas asaj marrëveshje, krijohet një republikë Serbska brenda Kosovës. Me parlament, me qeveri me kushtetutë, dhe me të drejta që lihen të hapura që komuniteti serb mund të kërkojë të drejta shtesë“, tha Xhufi.