“Nëse vendi im, Holanda nuk fiton, dua që Eurovisionin ta fitojë Shqipëria. Ata kurrë nuk më zhgënjejnë”. Kështu shkruante disa javë më parë një komentuese në Youtube, ndërsa një blogger i huaj vlerësonte performancën e Jonida Maliqit me këngën “Ktheju tokës”. Por, ashtu siç e kishin parashikuar bastvënësit që e kuotonin të parin Duncan Laurence dhe këngën e tij “Arcade”, Holanda u shpall fituese e Eurovision 2019. Këngëtari 24 vjeçar e çoi trofeun në Holandë pas 44 vitesh, ku trofeu i fundit mbahet mend prej 1975-s.
“Jam frymëzuar nga historia e një njeriu të dashur, që vdiq në moshë të re”, shpjegon Laurence, “Arcade është një hisotri rreth kërkimit për dashurinë e jetës Është shpresa që ndonjëherë, është e paarritshme”. Megjithëse këndon “Të të duash është lojë e humbur”, për Duncan loja në Izrael ishte fituese, duke triumfuar mes 26 vendeve konkurruese.
Por ishin votat e publikut ato që përmbysën rezultatin, duke i zbritur dy pretendentët, Suedinë dhe Maqedoninë e Veriut, shumë të vlerësuar nga juria. Laurence u shpall fitues me 492 pikë, duke marrë plot treqind pikë nga votuesit. Në vend të dytë u rendit Italia, me 465 pikë përfaqësuar nga këngëtari Mahmood me “Soldi” , duke e ngritur Italinë tre vende më lart nga viti i kaluar , ku Ermal Meta dhe Fabrizio Moro u renditën të pestët. Në vend të tretë u rendit Rusia, përfaqësuar nga këngëtari Sergei Lazarev, me këngën “Scream”.
Edhe këtë vit, ajo që u vu re ishte votimi i jurive profesioniste, ku më shumë se muzika dominoi politika e fqinjësisë së mirë, por jo për Shqipërinë. Ndryshe nga më parë, që prej përfaqësimit të parë të vendit më 2004-n, fqinjët tanë si Maqedonia e Veriut dhe Greqia thuajse na shpërfillën. Dymbëdhjetë pikët, Maqedonia e Veriut i dha për Italinë, ndërsa fqinjët tanë jugorë që tradicionalisht votojnë Qipron me pikët maksimale, por duke na i rezervuar 10 pikë, kësaj herë menduan t’i jepnin Shqipërisë dhe këngës “Ktheju tokës” vetëm tre pikë. E njëjta tablo edhe në veriperëndim, me Malin e Zi, që 12 pikë ia dha Serbisë, ndërsa kjo e fundit votoi maksimalisht këngëtaren Tamara Todevska dhe zero pikë për Shqipërinë.
As nga fqinjët më të dashur të matanë detit nuk pati vlerësim për performancën e Jonida Maliqit. Juria e profesionistëve italianë vlerësuan maksimalisht Danimarkën dhe me minimumin e pikëve Shqipërinë. Nga ana tjetër edhe Shqipëria kishte rezervuar vetëm pesë pikë për “Soldi” të Mahmood, ndërsa 12 pikët i shkuan Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë Italia u votua nga fqinjët e saj si Malta, San Marino, Belgjika, Kroacia, por edhe Gjermania. Por kënga “Proud” e konkurrentes nga Maqedonia u vlerësua edhe nga juri të vendeve jo fqinje si Britania, Moldavia, Austria e Zvicra. Shqipëria arriti të mblidhte nga votimet e jurisë vetëm 43 pikë, ndërsa publiku e votoi me 47 të tjerë, duke arritur një rezultat total prej 90 pikësh, që e renditi të 18-tën mes 26 konkurrentëve, shtatë vende më poshtë nga performanca e vitit të kaluar me “Mall” të Eugent Bushpepës.
Megjithatë Jonida Maliqi u vlerësua nga fansat e Eurovision si vokali më i mirë femëror dhe si ekzekutimi më i mirë live i këngës “Ktheju tokës”, një mesazh që trajton një fenomen të ri për shqiptarët, por të lashtë për njerëzimin, duke përkuar me historinë e popullit izraelit, të cilët e krijuan shtetin e Izraelit më 1948, pas shekujsh mërgim.