Presidentja, kryeministri dhe ambasadorë të vendeve të perëndimit të akredituara në Kosovë kanë bërë homazhe në 17 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Osmani dhe Kurti kanë vlerësuar lartë veprën e Rugovës dhe për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani në këtë përvjetor tha se presidenti Rugova do të kujtohet për veprën e tij për Kosovën dhe trashëgimia e tij do të rrojë përherë edhe për brezat që vijnë pas. Ajo ka falënderuar aleatët e Kosovës, raporton RTKlive.
Kurse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se presidenti Ibrahim Rugova kujtohet për qëndrimin intelektual dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe kombëtarizimin e rezistencës civile.
“Bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, vendosëm lule të freskëta dhe bëmë homazhe këtu në Prishtinë te varri i presidentit Ibrahim Rugova. Presidentit të parë të Republikës së parë të Kosovës dhe presidentit të parë të Kosovës së çliruar. 21 janari është ditë e ftohtë dhe është një ditë në të cilën teksa e përkujtojmë presidentin Ibrahim Rugova, e kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, për sjelljen paqësore, për qasjen humaniste, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kombëtarizimin e rezistencës civile.”, tha ai.