Sërish Hong-Kongu përjetoi protesta shumë të dhunshme. Tani policia kërcënon me përdorimin e municionit. Por rritja e presionit nuk e zgjidh situatën, është i mendimit Philipp Bisky.
Sërish në fundjavë nga Hong-Kongu erdhën pamjet, të cilat janë bërë të zakonshme këto kohë: Makinat e ujit, barrikada që digjeshin, bomba zjarrvënëse. Gjendja në ish-koloninë britanike është shkallëzuar tej mase ditët e fundit. Policia e Hong-Kongut ndërkohë po vepron pa kontroll e nuk ka shenja se kjo gjendje do të ndryshojë. Edhe shkeljet nga ana e policisë nuk duhet të mbeten pa u zbardhur. Qeveria e Hong-Kongut e ka bërë shumë të qartë, se nuk është e gatshme të bëjë lëshime për kërkesat e demonstruesve. Edhe për atë më të rëndësishmen: Një hetim të pavarur të dhunës së policisë.
Edhe nga ana e demonstruesve është rritur ndjeshëm gatishmëria për dhunë. Këtë e tregon, ndër të tjera përdorimi i fundit i shigjetave apo katapulteve artizanale për hedhjen e bombave zjarrvënëse. Përveç kësaj dhuna nuk drejtohet vetëm kundër përfaqësuesve të shtetit. Pjesësisht demonstruesit sulmojnë edhe bashkëqytetarë, dhe kjo vetëm sepse, ata kanë një mendim tjetër dhe e shohin me sy kritik lëvizjen protestuese. Pamje të rënda të rasteve të tilla qarkullojnë prej ditësh në internet.
Tani policia e Hong-Kongut e rrit edhe njëherë presionin kundër demonstruesve duke kërcënuar me përdorimin e municionit e zjarrit. Por që tani është e qartë: Rritja e presionit nga ana e policisë do të sjellë edhe më shumë dhunë nga ana e demonstruesve. Kush do të kuptojë, se si erdhi gjendja deri në këtë pikë, duhet të kthejë kokën pas në zhvillimet e viteve të fundi në Hong-Kong: Rregullisht pjesë të mëdha të popullsisë së Hong-Kongut kanë protestuar paqësisht kundër influencës në rritje të Pekinit dhe për më shumë vetëvendosje demokratike. Por shumë pak gjëra kanë ndryshuar. Shumë demonstrues prej kësaj kanë arritur në konkluzionin, se me protesta paqësore nuk arrihet asnjë ndryshim.
Në thelb Hong-Kongu ndodhet para një krize politike. Nëse qeveria do të dalë nga ky qorrsokak, kjo do të funksionojë vetëm me gjetjen e një zgjidhjeje politike. Por për momentin një gjë e tillë nuk duket realiste. Edhe nga ana e qeverisë nuk ka ndonjë iniciativë politike që ia vlen të përmendet.