Kryeministri Avdullah Hoti po raporton para deputetëve të Kosovës për marrëveshjen, që e ka nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Hoti thotë se marrëveshja është e mirë, e Qeveria që ai e udhëheq nuk vë barrikada ndaj partnerëve të Kosovës,raportojne mediat kosovare.
Hoti pyet se si mund të konsiderojë dikush që Kosova në Shtëpinë e Bardhë ka dalë me marrëveshje të dëmshme.
“Cilësimi i marrëveshjes së Uashingtonit se është e dëmshme, është gabim strategjik, Si mund të konsiderohet marrëveshje e dëmshme ajo e sponsorizuar nga Amerika, që i ka sjellë pavarësinë Kosovës…. E kam parasysh që nuk është përfekte, por nuk është e dëmshme”, ka thënë Hoti.
Kryeministri Hoti ka thënë se ai nuk frikësohet të ulet në tavolinën e bisedimeve dhe nuk do të ikë nga kjo.
Tutje ai ka përshkruar marrëveshjen të cilën ai e ka nënshkruar.
“Kjo marrëveshje i ka 16 pika, prej të cilave kryesore janë projektet infrastrukturore që shkojnë me vlerë mbi një miliard euro”.
“I kemi koordinuar veprimet tona me partnerët ndërkombëtarë”.
“Ne nuk do të barrikadohemi dhe nuk do të gjejmë arsye për t’u barrikaduar, por do të bashkëpunojmë me partnerët tanë”.
Hoti ka thënë se kjo është një marrëveshje tejet e mirë për Kosovë dhe se investimet, përfshirë sjelljen e gazit në Kosovë, janë “infuzion ekonomik”.
“Njohja e shtetit nga Izraeli paraqet fitore të madhe diplomatike”.
Hoti thotë se para se të shkojë në Uashington ka takuar përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi dhe të deleguarin e Amerikës për çështje të Ballkanit, Matthew Palmer. Kryeministri thotë se ata i kanë konfirmuar koordinimin e plotë të SHBA-së dhe BE-së.