Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier është shprehur sot i kënaqur me heqjen e ndalesës së mallrave serbe.
“I kënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalesës së mallrave të përfunduara të importuara nga Serbia. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Ne i vlerësojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për përpjekjet e vazhdueshme për të promovuar tregtinë e lirë në rajon”, ka shkruar Hovenier në rrjetin social X.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të hënën se në pikën kufitare në Merdarë është hequr masa e sigurisë për mallrat serbe, nga kufizimi, te kontrolli i shtuar.
Ai theksoi se kjo masë është vendosur për shkaqe të sigurisë dhe jo të karakterit tregtar.
Ministria e Punëve të Brendshme dje ka autorizuar Doganën e Kosovës që të hiqen masat e sigurisë për mallrat serbe që arrijnë përmes pikës kufitare në Merdarë.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se pas një veprimi të tillë janë përmbushur kërkesat e aleatëve që CEFTA dhe Procesi i Berlinit të kenë sukses të plotë.
/KosovaPress/