Organizata për të drejtat e njeriut Human Rigts Watch (HRW) ka kërkuar nga qeveria indiane të heq ndërprerjet e komunikimit dhe të kthejë mbrapsht vendimin mbi Kashmirin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, drejtoresha e HRW -së për Azinë e Jugut, Meenakshi Ganguly, tha se që një javë populli i Kashmirit është kryesisht nën bllokim dhe liderët e tyre janë nën arrest.
“Tani kaluan një javë që kur parlamenti indian votoi revokimin e statusit të veçantë autonom të dhënë për rajonin Xhamu dhe Kashmir nën kushtetutën indiane, si dhe ndarjen e krahinës në dy territore të ndara me qeveri federale. Populli i Kashmirit kryesisht është nën bllokim, liderët e tyre janë nën arrest. Telefonat, madje edhe linjat tokësore janë ende të ndërprera. Interneti është i mbyllur. Xhamitë e tyre kryesore kanë mbetur të mbyllura për muslimanët e Kashmirit gjatë festës së Kurban Bajramit”, tha Ganguly.
Ajo shtoi se ka raporte për familje të shqetësuara që nuk kanë mundësi të kontaktojnë të dashurit e tyre, si dhe me mungesë të qasjes së duhur në shërbimet mjekësore.
Duke iu referuar situatës në Kashmir, Ganguly tha se disa gazetarë kanë përshkruar protesta masive ku forcat e sigurisë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe plumba të pushkëve, diçka që qeveria e ka mohuar.
Që nga viti 1947, India dhe Pakistani kanë kundërshtuar pronësinë e mbretërisë së mëparshme me shumicë muslimane.
“Një lëvizje separiste e mbështetur nga Pakistani në Xhamu dhe Kashmirin e Indisë tashmë ka marrë mbi 50 mijë jetë që nga shpërthimi në fund të viteve 90’ta. Përgjigja e forcave të sigurisë ka përfshirë vrasje, tortura dhe zhdukje. Për më shumë shkelje të të drejtave të njeriut sigurisht që rajoni nuk ka nevojë”, tha më tej Ganguly.
Ajo u kërkoi autoriteteve indiane të sigurojnë drejtësi dhe përgjegjësi për shkeljet e të drejtave të njeriut, të shfuqizojnë ligjet abuzive si Akti i Sigurisë Publike ose Akti i Fuqive Speciale të Forcave të Armatosura të cilat u japin forcave qeveritare imunitetin nga ndjekja penale, t’i japin fund trajtimit agresiv të popullit të Kashmirit në pikat e kontrollit dhe gjatë operacioneve të kërkimit, si dhe të punojnë për kthimin e sigurt të të gjithë të zhvendosurve, përfshirë hindusët e shpërngulur nga Lugina e Kashmirit me shumicë muslimane në vitin 1990.
Sipas shefes së HRW-së për Azinë e Jugut, autoritetet duhet të lirojnë të ndaluarit politikë, të heqin ndërprerjen e komunikimit, të lejojnë qasjen e duhur të mediave dhe vëzhguesve të pavarur, si dhe të urdhërojnë zyrtarët e sigurisë të respektojnë të drejtat e njeriut.
Letër të hapur për kryeministrin indian
Ndërkohë, 69 aktivistë dhe organizata për të drejtat e njeriut i dërguan një letër të hapur kryeministrit indian, Narendra Modi, në të cilën shprehën shqetësim të thellë për situatën në Kashmir.
Letra u publikua nga Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në faqen e saj të internetit.
Ata kërkojnë nga kryeministri indian që të revokojë menjëherë orën policore, të rivendosë komunikimet dhe të lirojë të gjithë të arrestuarit pa kushte.
“Menjëherë dhe pa kushte të kthehet statusi i rajonit Xhamu dhe Kashmir në përputhje të nenit 370 të kushtetutës së Indisë”, kërkuan aktivistët dhe organizatat e të drejtave të njeriut.
Ata kërkuan nga kryeministri indian që të dy të zbatojnë rekomandimin e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, të bërë në vitin 2018 dhe 2019 në lidhje me rajonin Xhamu dhe Kashmir, si dhe të respektojë të drejtën e vetëvendosjes dhe garantimin e lirisë themelore.