Dimitar Kovaçevski zyrtarisht konfirmoi dorëheqjen nga pozita e kryetarit të LSDM-së, të cilën e shpalli më 8 maj, si akt moral dhe në përputhje me statutin e partisë.
“Ju informojmë se në seancën e sotme të Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, kryetari Dimitar Kovaçevski konfirmoi dorëheqjen nga pozita e kryetarit të LSDM-së, të cilën e kishte shpallur më 8 maj, si akt shumë moral dhe në përputhje me Statutin e Partisë ka iniciuar mbajtjen e Kongresit të LSDM-së me qëllim të analizës së rezultateve zgjedhore dhe deklarimit të besimit në organet e LSDM-së, të zgjedhura nga Kongresi, në funksion të rezultateve zgjedhore”, njoftuan sot pasdite nga Bordi Ekzekutiv i LSDM-së.
“Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, LSDM-ja pësoi një disfatë, duke marrë një goditje të rëndë, jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga simpatizantët, disa nga rryma brenda partisë, si dhe disa nga anëtarë të partisë të organizuar në një tjetër subjekt politik”, tha Kovaçevski duke kërkuar edhe nga drejtuesit e tjerë të lartë të partisë që të japin dorëheqje.
Kovaçevski kërkoi nga organet drejtuese të LSDM-së që të mbahet një kongres, në të cilin do të analizoheshin rezultatet e zgjedhjeve dhe më pas do të mbaheshin zgjedhjet brendapartiake për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të kësaj partie.
“Hapi i parë në konsolidimin e LSDM-së duhet të jetë rindërtimi i matricës ideologjike dhe vlerave socialdemokrate për të bashkuar të gjitha forcat progresive të qendrës së majtë në vend. Hapi i dytë është ndryshimi i thellë kadrovik dhe krijimi i një potenciali të fortë dhe së fundi, reforma në strukturën organizative të partisë”, tha Kovaçevski.
Kovçevski drejtimin e LSDM-së e kishte marrë nga ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili dha dorëheqje në vitin 2021 pas disfatës së thellë të kësaj partie në zgjedhjet lokale.
Kovaçevski po ashtu ka qenë kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga 16 janari i vitit 2022 deri më 25 janar të vitit 2024.