Ministri i Jashtëm Peter Szijjarto ka thënë se ndërsa nga zgjerimi i Ballkanit Perëndimor do të përfitonte BE-ja, anëtarësimi i Ukrainës do të shkatërronte ekonomikisht dhe në aspektin e sigurisë funksionimin e BE-së
Hungaria ka thënë se është e pamundur që Ukraina të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE) para vendeve të Ballkanit, duke refuzuar “presionin nga Brukseli” për t’i dhënë prioritet anëtarësimit të Kievit.
Siç njoftoi zëdhënësi ndërkombëtar i qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, ministri i Jashtëm Peter Szijjarto ka thënë se ndërsa nga zgjerimi i Ballkanit Perëndimor do të përfitonte BE-ja, anëtarësimi i Ukrainës do të shkatërronte ekonomikisht dhe në aspektin e sigurisë funksionimin e BE-së.
Deklarata erdhi pasi Szijjarto është takuar në Budapest me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski.
Ai ka shtuar se është thjesht e pakuptimtë të sugjerohet se Ukraina është në gjendje më të mirë se çdo vend i Ballkanit Perëndimor.
Szijjarto ka vënë në dukje “standardet e dyfishta të BE-së”, duke thënë: “Është interesante që ndërsa disa vende bllokojnë bisedimet e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, ato nuk sulmohen kurrë – megjithatë, ne jemi nën presion nga rrjedha kryesore liberale vetëm pse mbrojmë të drejtat e hungarezëve në Transkarpati.
Kryediplomati hungarez ka shprehur solidaritetin pas zjarrit vdekjeprurës në klubin e natës në Koçan, ku humbën jetën dhjetëra të rinj. “Hungaria qëndroi dhe vazhdon të qëndrojë pranë Maqedonisë së Veriut gjatë përjetimit dhe procesit të kësaj tragjedie shumë të rëndë”, ka thënë ai, duke rikujtuar se gjashtë viktima të lënduara po trajtohen në Hungari dhe qeveria është e gatshme të ofrojë ndihmë të mëtejshme.
Po ashtu, Szijjarto ka njoftuar se janë duke u zhvilluar përgatitjet për një marrëveshje ndërqeveritare që u mundëson kompanive hungareze të marrin pjesë në programet e zhvillimit të infrastrukturës të Maqedonisë së Veriut, një mundësi e cila, siç ka theksuar ai, “ofron potencial serioz për bizneset hungareze”.

Ndërkaq, në një deklaratë në rrjetet sociale, Mucunski falënderoi Hungarinë për mbështetjen në trajtimin e pacientëve të lënduar nga Koçani, duke e quajtur këtë një shenjë të fortë të partneritetit të thellë midis dy vendeve.
Mucunski po ashtu është adresuar në Këshillin Hungarez të Diplomacisë
Ai tha se me Këshillin kanë ndarë perspektivat mbi çështjet kryesore evropiane dhe rajonale.
“Diskutuam lidhjet ekonomike, investimet, stabilitetin rajonal, sigurinë dhe sfidat tona të integrimit në BE”, ka thënë kryediplomati i Maqedonisë së Veriut.
/Argumentum.al