Parlamenti i Hungarisë e ka miratuar të hënën projektligjin që i mundëson Suedisë anëtarësimin në NATO.
Hungaria ka qenë vendi i vetëm prej 31 vendeve anëtare të NATO-s që e ka bllokuar anëtarësimin e këtij vendi nordik në aleancën veriatlantike.
Ligjvënësit kanë votuar me 188 vota për dhe gjashtë kundër.
Disa ditë para votimit, kryeministri suedez, Ulf Kristersson ka qëndruar për vizitë në Budapest dhe bashkë me homologun e tij hungarez, Viktor Orban, e kanë nënshkruar një marrëveshje për armët.
Qeveria e Orbanit është përballur me presion prej aleatëve të NATO-s që të jetë në përputhje me vendet tjera të aleancës dhe të ratifikojë marrëveshjen për pranim të Suedisë.
“Më në fund është kryer, Suedia është anëtarja e 32-të e aleancës, dhe në këtë mënyrë NATO-ja është bërë më e fortë”, ka thënë Agnes Vadai, ligjvënëse e partisë opozitare hungareze, Koalicioni Demokratik.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka mirëpritur lajmin prej Hungarisë.
“Tani që të gjithë aleatët kanë pranuar, Suedia do të jetë anëtarja e 32-të e NATO-s. Anëtarësimi i Suedisë do të na bëjë më të forta dhe më të sigurta”, ka thënë ai përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
“Sot është një ditë historike”, shkroi kryeministri suedez Ulf Kristersson në X, dikur Twitter. “Parlamentet e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s tani kanë votuar në favor të pranimit të Suedisë në NATO. Suedia është e gatshme të mbajë përgjegjësinë e saj për sigurinë euroatlantike”.
Ndërsa aleanca është me të vërtetë më e madhe se kurrë dhe më e fortë se sa ka qenë në vite, shumë muaj pengesa nga Turqia, e ndjekur nga vonesat e vazhdueshme nga Hungaria, nxorën në pah sfidën e mbajtjes së aleatëve së bashku, edhe përballë një Rusie agresive, revanshiste.
Turqia e ka bllokuar anëtarësimin e Suedisë, duke kërkuar më shumë masa të Stokholmit ndaj militantëve të Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK), të cilët Ankaraja beson se strehohen në Suedi.
Ratifikimi në Budapest vjen në një moment kur aleatët e NATO-s po përpiqen të qëndrojnë të bashkuar për ndihmën për Ukrainën.
Stokholmi ka hequr dorë prej politikës së saj me gjenerata dhe ka vendosur t’i bashkohet NATO-s, para nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, më 2022.
Suedia dhe Finlanda e kanë marrë vendimin e njëjtë, mirëpo Finlanda është anëtarësuar vitin e kaluar.
Suedinë e kanë vonuar Turqia dhe Hungaria, të cilat kanë marrëdhënie më të mira me Rusinë, sesa vendet tjera të NATO-s.
Anëtarësimi i Suedisë, vend që nuk ka qenë në luftë prej vitit 1814, dhe Finlandës, përbën zgjerimin më të madh të aleancës, prej viteve ’90.
/Argumentum.al