Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në edicionin e 23-të “Symi Symposium”, që po mbahet në Athinë, organizuar e drejtuar nga ish-kryeministri grek, George Papandreou dhe me pjesëmarrje personalitetesh të njohura të politikës, ekonomisë e botës akademike ndërkombëtare, mbi sfidat dhe projektet e post-pandemisë.
Në fjalën e tij, Rama nuk la pa komentuar edhe procesin e mos çeljes së negociatave, pas vetos që Bullgaria i vuri Maqedonisë së Veriut.
Rama tha pritshmëritë e Shqipërisë nuk mund të varen vetëm te Bashkimi Europian, ndërsa theksoi se Ballkani ka nevojë për BE-në, por aq sa BE për Ballkanin. Po ashtu Kryeministri shtoi ashpër se nuk do të ketë më përgatitje për çelje negociatash derisa sa vetë BE t’i thërrasë.
“Qëndrimi bullgar është rezultat i asaj çka Bullgaria mësoi brenda BE-së nga të mëdhenjtë. Mësoi se mund të përdorësh politikën lokale për të penguar pjesën tjetër. Në Ballkan kur kopjojnë shkojnë më tutje sesa origjinali. Shkojmë përtej. Me këtë që po ndodh tani ne jemi më tepër të penguar nga nacionalizmat e BE-së. Pra rrugëtimi i integrimit të BE-së po varet nga nacionalizmat e BE-së. E kam fjalën për nacionalizmat e vendeve të rëndësishme që mbajnë peng udhëheqësit, që ende nuk janë nacionalistë, bien pre e këtyre lojërave.
Nuk duhet që të biem pre e dëshpërimit, zhgënjimit, sepse e kemi mësuar këtë moton ‘na merrni se po të mos na merrni ju se do na marrin disa të këqij’.
Ne në Shqipëri, unë vetë e kam parë veten të përgatitur për dasmën e madhe, me të gjitha dekorimet e bëra, kemi marrë orkestrën më të mirë sepse KE tha se jeni gati të nisni bisedime dhe kur e thotë KE, ai është organizmi më i duhur për ta thënë këtë. Kur e thotë KE do të thotë se je gati të vazhdosh.
Dasma e parë nusja nuk erdhi, dasma e dytë nusja sërish nuk erdhi, por nuk ka një përgatitje për dasmën e tretë, vafsh në djall. Ne nuk mund të vazhdojmë me pritshmëri”, tha Rama.
Kryeministri tregoi edhe një shaka që qarkullon korridoreve të BE-së, ku thuhet se Shqipëria do të hyjë në union vetëm kur Turqia të ketë Presidencën dhe e anasjellta.
“Në fillim BE hezitonte, se është pak edhe…Ka vende që na thonë si është e mundur që Kosova nuk lëviz dot lirisht. Gjatë diktaturës ata lëviznin lirisht, tani janë çliruar por nuk mund të lëvizin. Ndërkohë që BE-ja ka vendosur regjim të liberalizimit të vizave me 100 mln njerëz, Kosova është e bllokuar me njerëz që nuk lëvizin dot. Është e vetmja popullsi në Europë që nuk lëviz dhe kanë përmbushur të gjitha kriteret.
BE tha po, pastaj doli çështja e demarkacionit. Edhe Merkel u tha, e bëjmë, ndërkohë nuk ka. Tani i thonë; luftoni krimin dhe korrupsionin. Po kjo është luftë e pafund. Ndërkohë holandezët na kërkojnë që t’i çlirojmë nga shqiptarët që po përmbysin portin e Rotterdamit, që është port droge dhe nuk u bë nga shqiptarët. Ne të gjithë kemi problemet tona, por ka një standard të çmendur të dyfishtë.
Ka edhe një shaka që qarkullon. Euro-optimisti thotë se Turqia do të hyjë në BE kur Shqipëria të ketë Presidencën. Euro-pesimisti thotë që Shqipëria do të hyjë në BE kur Turqia të ketë Presidencën”, tha më tej Rama.