Autoritetet qeveritare në Shkup pas ratifikimit të Protokollit për anëtarësim të vendit në NATO nga ana e Parlamentit grek, do të ndjekin disa hapa në fazën e implementimit të emrit të ri Republika e Maqedonisë së Veriut, informon INA.
Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Bosnjakovski ka theksuar se pas këtij vendimi, Qeveria menjëherë duhet të informojë organizatat ndërkombëtare dhe shtetet se vendi ka emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut.
“Amendamentet kushtetuese hyjnë në fuqi dhe se menjëherë fillojnë detyrat e Qeverisë”, theksoi zëdhënësi qeveritar.
Emrin e ri kërkohet ta përdorin më shumë se 130 shtete që e kanë njohur vendin dhe se menjëherë fillon komunikimi me emrin e ri. Detyrimet e tjera janë që menjëherë të fillojë punën një grup ndërministror, që duhet të kryejë detyrimet që burojnë nga Marrëveshja e Prespës dhe të ndiqet procesi i zbatimit, nënvizon INA.
Do të ndrrohen edhe tabelat në vendkalimet kufitare, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore, si dhe në hyrjen e institucioneve. “Nuk ka afate konkrete për tu plotësuar kjo, por do të fillojnë punët që sa më shpejt të përmbyllet ky proces”, theksuan nga Qeveria. Në afat prej pesë viteve qytetarët janë të obliguar që të ndryshojnë të gjitha dokumentet personale, të cilat duhet të mbajnë emrin e ri kushtetues.