Hyn në fuqi harta e re gjyqësore. Nga sot do të ketë vetëm një gjykatë Apeli në Tiranë për të gjithë Shqipërinë.
Në total do të jenë 16 gjykata gjithsej, 12 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative.
KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë.
Nga 5 gjykata Administrative do jenë vetëm dy, në kryeqytet dhe në Lushnje.
Nga 22 që ishin, me hartën e re, nga 1 shkurti do të jenë vetëm 13 gjykata të Shkallës së Parë.
Po ashtu mësohet se KLGJ u ka dërguar vendim të formës së prerë Gjykatave të Apelit në rrethe dhe duke nisur nga sot ato do të mbyllen dhe do të funksionojë vetëm një Apel në Tiranë.
Ndërkohë, 13 gjykatat e Shkallës së Parë do të mbyllen më 1 maj.
Gjykatat e Apelit në Shkodër, Vlorë, Durrës, Korçë dhe Gjirokastër do të shkrihen, ndërsa do të mbetet hapur vetëm një zyrë informacioni për qytetarët.
Me hartën e re gjyqësore, të gjitha çështjet të cilat nuk kanë asnjë datë për gjykim në Apel, do të hidhen edhe një herë në short, për të caktuar gjyqtarët që do t’i shqyrtojnë.
Janë 32 mijë dosje të cilave nuk u ka nisur ende gjykimi dhe do jenë 25 gjyqtarë që pritet t’i shqyrtojnë.
Këto vakanca janë krijuar nga procesi i vettingut, ndërsa volumi i dosjeve është relativisht i madh krahasuar me numrin e gjyqtarëve.
Kryetarja e KLGJ Naureda Llagami sqaron qytetarët se të gjitha çështjet që e kanë filluar gjykimin në gjykatat e apelit në rrethe do e vazhdojnë gjykimin atje.
Me hyrjen në fuqi të hartës së re gjyqësore, kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami deklaroi sot se institucioni që ajo drejton ka marrë masat që gjithçka të funksionojë më së miri duke nisur nga gjykata e Apelit të Tiranës.
Kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami në një konferencë për mediet sqaroi të gjithë procedurën si do të punohet me hartën e re, ndërsa u shpreh se janë marrë të gjitha masat që gjithçka të shkojë siç duhet.
Ajo tha se “sot nis zbatimi i hartës së re gjyqësore dhe nis me gjykatën e juridiksionit të përgjithshëm të Apelit e cila do lejojë mundësinë të krijohen dy seksione në këtë gjykatë, seksioni civil dhe penal”.
Llagami theksoi se “qytetari nuk do të ketë më dështim të seancave gjyqësore, siç ndodhte më parë për shkak të mungesave të trupës apo mosplotësimit të trupës gjyqësore”.
“Meraku tjetër, që mund të kemi për qytetarët është që a do ta marrin shërbimin në mënyrë kualitative. Ajo që kemi thënë ne si këshill është që sa më shumë të specializuar të jenë gjyqtarët aq më cilësor do jetë shërbimi. Besoj se gjithë trupa e ka të qartë se duke gjykuar çështje dhe civile dhe penale padyshim se kjo është një vështirësi. E rëndësishme është se sot që ne fillojmë gjykimet në gjykatën e Përgjithshme të Apelit nuk do të dështojë asnjë seancë. Sot, qytetari do të shërbehet më mirë sepse në ditën që do caktohet seanca, ai do të marrë shërbim dhe kjo është e rëndësishme për qytetarin pavarësisht se ku ndodhet gjykata. E kam thënë publikisht se gjykatat mund t’i kishim shumë pak metra afër shtëpisë por nuk kishim shërbim. Kjo është situata që ne kemi dhe prandaj merren këto masa”, tha Llagami.
/Argumentum.al