I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha të enjten në Prishtinë se vendet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti Kosova dhe Serbia, duhet të jenë të gatshme për kompromise dhe koncesione jo të lehta në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Sarrazin tha se e vizitoi Kosovën të enjten dhe do t’i vizitojë vendet e tjera të rajonit për arritjen e rezultateve “konkrete” për njerëzit e Ballkanit Perëndimor dhe se për këtë nevojiten kompromise në prag të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet më 14 tetor në Gjermani, shkruan Radio Evropa e Lire.
“Por për këtë kemi nevojë për kompromise dhe nganjëherë madje edhe gatishmëri për koncesione për t’u pajtuar për çështje politike të cilat nuk janë lehta as për Serbinë e as për Kosovën. Ende nuk kemi arritur ku duhet”, tha Sarrazin për gazetarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Kosova dhe Serbia kanë shumë mospajtime dhe dialogu mes tyre për normalizimin e marrëdhënieve, i nisur qysh më 2011, ka ngecur në kohët e fundit dhe palët në vazhdimësi fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve ekzistuese apo për dështim të dialogut, ndërkaq BE-ja thotë se ka mungesë të vullnetit politik për zbatimin e marrëveshjeve.
Sarrazin theksoi se bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtit, gjatë një takimi në Prishtinë, dhe se do të bisedojë edhe liderët e pesë vendeve të tjera të rajonit gjatë javës së ardhshme për bashkëpunimin rajonal.
“U kërkoj të gjithëve të bëjnë gjithçka që është e mundur për të shprehur gatishmëri për kompromise në mënyrë që të arrihen rezultate për lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve, parasë dhe tregtisë në rajon për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian”, shtoi ai
Gjatë vizitës në Prishtinë, Sarrazin u takua edhe me presidentin e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me liderët e partive opozitare, Memli Krasniqi e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës
Presidenca e Kosovës tha se Osmani dhe Sarrazin biseduan për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon, si dhe për Procesin e Berlinit.
“Me këtë rast, Presidentja ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dalura nga ky proces”, thuhet në njoftim.
Sarrazin u emërua në postin e të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor në shkurt të vitit 2022. Prej atëherë, ai ka zhvilluar një sërë vizitash në Kosovë dhe në vende të tjera të rajonit.
/Argumentum.al