E megjithatë, ia doli të jetë kryediplomati i ri i Shqipërisë. Edhe pse pas shumë debatesh dhe akuzash politike të shumta ndaj tij. Kryeministri Edi Rama i ka deleguar zv/ministrit Gent Cakaj detyrën e drejtimit të ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Detyrë kjo që iu caktua atij prej Presidentit të Republikës, Ilir Meta, por që ai vendosi t’ia delegojë atë zv/ministrit kosovar në këtë ministri.
Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së kalimit të stafetës në drejtimin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, zv/ministri Cakaj vuri në dukje se përmbajtja pothuaj likuide e politikës së jashtme të Shqipërisë, është shndërruar në një platformë solide në qasje dinamike të mirëstrukturuar dhe të mbështetur fuqishëm në parimet e dinjitetit kombëtar dhe besueshmërisë ndërkombëtare.
Sipas tij, Shqipëria sot qëndron në kuotën më të lartë të përfaqësimit diplomatik dhe nivelin më të konsoliduar të veprimit politik të jashtëm. “Vendi ynë është bërë bartës i një varg nismash rajonale që gjithësesi dëshmon për kredibilitetin e tij më tepër se sa rajonal. Shqipëria qëndron më afër se kurrë sot para vendimin historik për hapjen formale të negociatave për tu bërë pjesë e familjes europiane. Atdheu ynë, Shqipëria është në fazën e pakthyeshme të përgatitjeve përfundimtare për kryesimin e OSBE-së në vitin që vjen”, tha gjithashtu Cakaj.