I ftuar në “Tempora” në RTV Ora, Meta thotë se kjo do të ishte tradhëti ndaj vendit dhe kombit dhe se nuk ka në vend të dezertojë pasi para se të jetë në detyrë si President ai është në një mision përballë paligjshmërisë.
Presidenti: Meta jep dorëheqje sot.Dorëheqja e zotit Meta do të ishte një tradhti e hapur, flagrante dhe e pafalshme ndaj Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Mezi do të pritej nga të gjithë armiqtë e Shqipërisë që i mban në presion të madh kjo sjellje e zotit Meta pavarësisht se kjo sjellje nuk ka imponuar dot të njëjtën kulturë të bashkëpunimit apo respektimit të institucioneve te aktorët e tjerë. Ky qëndrim i Metës është pasqyra ku del qartë e gjithë kapja e shtetit dhe gjithë ky skenar që synon jo vetëm kapjen e shtetit, zhbërjen e shtetit por dhe zhbërjen e Shqipërisë dhe defaktorizimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ky konflikt artificial i sponsorizuar nga jashtë synon defaktorizimin e Shqipërisë dhe përmes saj dhe defaktorizimin e Kosovës. Zoti Meta është në mision jo thjesht në detyrë. Zoti Meta nuk është dezertor, nëse do ti bëhej mirë Shqipërisë do të kishte ikur me kohë. Por që të ikë zoti Meta që të kapin dhe të vetmin institucion… Armiqtë e Shqipërisë do të ishin shumë të lumtur sepse nuk do të kishte një institucion të besueshëm të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe legjitim që do tu thoshte të vërtetën miqve tanë në gjithë botën. Shqipëria ka dhe miq por ka dhe armiq që punojnë kundër interesave tona.
Presidenti thotë se vendi ka miq dhe armiq në Europë dhe Amerikë, ndërsa me tone të ashpra u shpreh dhe ndaj diplomatëve të huaj në vendin tonë.
Meta: Shqipëria ka miq dhe armiq në Europë, në Amerikë.Është luftë interesash, unë mbroj interesat e vendit tim dhe kombit tim. Dorëheqja nuk ndihmon për zgjidhje por për një kapje totale të shtetit.Kushetutën e Shqipërisë do ta mbroj nga qeveria, parlamenti, nga opozita, nga kushdo, nga ata të huaj që duan ta dhunojnë dhe përdhunojnë. Të shkojnë të dhunojnë Kushtetutat e vendeve të tyre ata, jo Kushtetutën e Shqipërisë siç janë mësuar këtu. Marrin dhjetëra milionë euro dhe dollarë dhe nuk japin asnjë herë llogari. Do ta mbroj deri në fund, por jam i bindur se do ta mbrojnë edhe qytetarët e ndershëm se u ka ardhur aty ku nuk mbajnë më.
Shpopullimi i vendit është një nga shqetësimet kryesore të Presidentit.
Ilir Meta i ftuar në “Tempora” në RTV Ora sheh përgjegjës për ikjen masive të fuqisë punëtore të gjithë faktorët politikë që po mbajnë gjallë një krizë artificiale politike.
Meta: Plani i integrimit në BE nuk është se do kishin bërë dialog politik, do ishin ndëshkuar çështjet e dosjeve si Dibra dhe Shijaku, reforma në drejtësi do të zbatohet sipas Kushtetutës. Do mbështetej iniciativa e presidentit për shfuqizuar 30 qershorin dhe zhvilluar zgjedhje gjithëpërfshirëse.Jo vetëm ky konflikt por dhe mungesa e dialogut politik, është e mjaftueshme për të mos hyrë në BE. Të gjithë ata që mbështesin këtë konflikt janë të interesuar për zhbërjen e Shqipërisë.
Meta nuk pret zgjidhje nga ndërkombëtarët. Edhe pse e vështirë, zgjidhja thotë ai do të vijë nga brenda.
Meta: Nuk kam shumë shpresë të ndërkombëtarët se kanë hallet e tyre. Pse është shpopulluar Shqipëria nuk është problem i madh dhe për Gjermaninë që kërkon fuqi punëtore. Edhe Kanadaja. Nuk është tragjedi e madhe për ta. Për ne është problem i madh, dhe nuk e dimë se çfarë do të na vijë se ky vend bosh nuk do të ndodhë. Vetëm ne do ta zgjidhim. Sa i takon kushteve të Bundestagut është zhgënjyese që nuk ka asnjë përpjekje serioze për të krijuar frymën që jep një zgjidhje dhe shpresë.
Në “Tempora” ai thotë se vendi ka degraduar ndër vite dhe klasan politike në vend që të piqej vazhdon dhe sillet edhe më keq, aq sa qytetarët kanë mall për kohën e Nanos dhe Berishës.
Meta: Sistemi demokratik na ka rënë.E vetmja rrugë është referendumi. Përpjekja për ta bërë të pamundur është antikushtetues. Kur të bëhet kjo gjë do ta shohësh si do ecë dialogu politik. Nuk pres nga klasa politike të bëj dialog politik të përgjegjshëm. Atëherë thoshim se e keqja e Shqipërisë janë këta të dy. Tani dëgjoj të keqen e Nanos dhe Berishës. Vendi ka degraduar, në vend që institucionet të forcoheshin, politikanët të piqeshin.E vetmja mënyrë që kjo të ndryshojë është që njerëzit të marrin në dorë atë që kanë vendosur me Kushtetutë me gjithçka, një lëvizje mbarëpopullore. Angazhimi është kjo çështje.