Në Mitrovicë një i ri serb plagoset me thikë pas përleshjes me të rinj shqiptarë. Prishtina e quan incidentin mbi lumin Ibër të izoluar, ndërsa, Beogradi zyrtar thotë se ura mbi Ibër nuk duhet të hapet.
Një 17-vjeçar me përkatësi etnike serbe mori plagë me thikë në mbrëmjen e shkuar gjatë një përleshje me një grup të rinjsh shqiptarë në Urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Megjithëse deri tani ngjarja është cilësuar si një incident i izoluar, kanë ardhur menjëherë reagimet e Beogradit zyrtar si edhe autoriteteve të Prishtinës.
Policia vazhdon hetimet
Zëvendëskomandanti i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti thotë, se policia po punon intensivisht për të zbardhur rastin, ndëkohë që ende nuk dihen motivet. I riu serb është jashtë rrezikut për jetën. “Ende nuk i dimë arsyet dhe motivet, se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, jemi në drejtim të hulumtimit. Hetuesit policorë janë duke punuar intensivisht në bashkëpunim edhe me drejtorinë rajonale të Jugut duke parë kamerat mbi lumin Ibër, incizimet e ngjarjes dhe për të parë në të vërtetë çfarë ka ndodhur”, tha Besim Hoti.
Kryeministri i Kosovës në detyrë Ramush Haradinaj, e dënoi incidentin, ku një i ri serb mori plagë dhe u kërkoi organeve të drejtësisë që të zbardhin sa më shpejt rastin dhe të kapen autorët. “Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe në vazhdimësi ka qenë shembull i tolerancës dhe diversitetit. Veprimet e tilla janë raste të izoluara dhe asnjëherë nuk do të cenojnë paqen dhe sigurinë në vend”, thotë në reagimin e tij Ramush Haradinaj.
Vuçiq: Të mos hapet Ura e Ibrit
Për Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, incidenti “ndëretnik”, siç e cilësoi ai. është i rëndë. Ura mbi Lumin Ibër nuk duhet të hapet për qarkullim, tha kërkuar Vuçiq. “Sulmi ndaj një të riu serb në Mitrovicën Veriore tregon se sa e rrezikshme është hapja e Urës së Ibrit. Ekziston një adhurim i shqiptarëve me veriun e Kosovës. Këto janë gjëra dhe lajme të këqija. Kjo është arsyeja pse unë them se sa e rrezikshme ishte të hapej Ura e Ibrit, pasi dëshira e shqiptarëve është Veriu i Kosovës dhe rruga e ‘Mbretit Petar’ në Mitrovicë”, tha Aleksandër Vuçiq, sipas medieve në Serbi.
Veseli: Beogradi të heqë dorë nga provokimet
Ndaj deklaratave të Presidentit të Serbisë, reagoi ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke i bërë thirrje Vuçiqit që “këtë rast të izoluar të mos e përdorë për interesa personale që e cenojnë sigurinë e Kosovës dhe rajonit”. “Loja që Aleksandër Vuçiq po luan, për interesa të tij të ngushta dhe për konsum të brendshëm politik, është në dëm të bashkëqytetarëve tanë serbë të Kosovës. Deklarata e tij ka për synim cenimin e sigurisë së Kosovës dhe dëmtimin e stabilitetit rajonal. Prandaj, i bëj thirrje Beogradit, që të heqë dorë nga provokimet dhe të lërë bashkëqytetarët tanë serbë rehat të lirë”, thotë në reagimin e tij Veseli duke e dënuar incidentin dhe duke u bërë thirrje organeve të drejtësisë që ta zbardhin rastin.
Shqiptarët dhe serbët nuk kanë probleme në vendbanimet e tjera brenda Kosovës, Shtërpcë, Graçanicë, Novobërdë dhe shumë vende të tjera ku jeton shumica dërmuese e komunitetit serb në Kosovë, sipas Veselit. “Problemet ekzistojnë vetëm aty ku Serbia ka interes që të shkaktojë konflikt. Kosova është një shtet evropian demokratik, multi-etnik që garanton maksimumin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve jo-shumicë dhe kurrsesi nuk do të lejojë krijimin e mureve artificialë të ndarjes apo urrejtjes ndër-etnike”, thotë Kadri Veseli.
Incidenti i mbrëmshëm në Urën mbi Lumin Ibër ndodh pas një periudhe të gjatë, ku nuk janë shënuar incidente ndëretnike, ndonëse në veri të Kosovës, kohë pas kohë lehtësisht tensionohet gjendja. Ura mbi Lumin Ibër që disa herë pas luftës ka qenë arenë përleshjesh ndëretnike, e ndanë qytetin e Mitrovicës në dy pjesë, veriu i banuar me shumicë serbe dhe jugu me shumicë shqiptare. Tash e disa vite Ura vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim, ndërsa një projekt i Komisionit Evropian për rikonstruktimin e saj akoma po vazhdon, ndonëse tash e dy vjet sipas planifikimeve ishte dashur të hapej për qarkullim.