Tragjedia në plazhin e Potamit në Himarë, në jug të Shqipërisë, ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia, e cila u përplas nga një skaf që drejtohej nga efektivi i policisë, Arjan Tase, ka tronditur mbarë shoqërinë shqiptare.
Në këtë kuadër, ditën e enjte në orën 19:00 do të zhvillohet një protestë qytetare para Ministrisë së Brendshme, raportojnë mediat vendase duke iu referuar burimeve të shoqërisë civile të mërkurën.
“Nën moton ‘nuk e vrau skafi, por shteti’ qytetarët do të kërkojnë dorëheqjen e ministrave Bledar Çuçi dhe Mirela Kumbaro si dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Gladis Nano.
“Partitë opozitare i kanë dhënë mbështetjen e plotë kësaj proteste qytetare”, thuhet në njoftim.
Protestës së së enjtes para Ministrisë së Brendshme pritet t’i bashkohet edhe opozita. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërndarë njoftimin për protestën dhe ka theksuar mbështetjen e plotë për këtë protestë qytetare përmes një shënimi në rrjetet sociale.
Në mbështetje të protestës së qytetarëve ka dalë edhe forca tjetër opozitare, Partia e Lirisë. Në një postim në Facebook, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Tedi Blushi, tha se Partia e Lirisë mbështet fuqishëm çdo formë proteste qytetare dhe i bashkohet indinjatës së madhe të mbarë opinionit publik të tronditur nga tragjedia që preku familjen Avdia, e cila humbi vajzen e vogël.
Ndërkohë, dhjetëra qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur në shkallët e Kryeministrisë në Tiranë mbrëmjen e së martës për të nderuar 7-vjeçaren e vrarë në Himarë. Ata u mblodhën në një protestë të heshtur para zyrës së Edi Ramës, duke dënuar ngjarjen e rëndë, ku efektivi i policisë së Elbasanit goditi për vdekje vajzën e mitur që po lahej në breg. Qytetarët ndezën qirinj në shkallët e kryeministrisë, ndërsa përgjegjës për vdekjen e të miturës vunë drejtues të lartë të shtetit.
Me qirinj e lule, qytetarët dhe përfaqësues të klerit katolik janë mbledhur në Shëngjin për të kryer marshim homazh për ndarjen nga jeta të vogëlushes 7-vjeçare.
Nën moton QË TË MOS NDODHË MË! Dioqeza e Lezhës dhe ajo e Rrëshenit, bashkë me shoqërinë civile Lezhë-Kurbin-Rrëshen, organizuan një marshim homazh për vajzën e vogël Jonada Avdia me lule e qirinj në duar.
Kryeministri Edi Rama reagoi sot sërish për ngjarjen e ndodhur dje në Himarë, ku humbi jetën një vajzë 7-vjeçare, e cila u godit nga një mjet lundrues i drejtuar nga një oficer policie, ndërsa theksoi se çetat e udhëhequra nga nongratat kërkojnë ta kthejnë këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike.
Rama uron edhe një herë që drejtësia t’i japë ndëshkimin më ekstrem fajtorit për këtë tragjedi.
“Madhësia e tragjedisë së djeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s’lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar. Ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë, falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar! Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurtë, me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “tragjedia e djeshme ka tronditur të madh e të vogël dhe ka krijuar një ndjenjë të rëndë shqetësimi, ndërkohë që Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar shumë më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor”.
Ndërkohë mësohet se plazhi i Potamit dhe hotelet përreth janë braktisur plotësisht nga pushuesit një ditë pas ngjarjes tragjike ku mbeti i vrarë e mitura 7-vjeçare, Jonada Avdia. Disa tufa me lule, veshjet e familjarëve dhe të vajzës me kukullën e saj ishin ‘panorama’ që la pas ngjarja tragjike në plazh.
/Argumentum.al