Maqedonia e Veriut ka dërguar një propozim për bashkëpunim deri tek Bullgaria dhe Shqipëria për investime për të ashtuquajturin “korridorin tetë”, i cili lidh të tre shtetet.
Ministri i jashtëm Bujar Osmani shpjegoi se “Iniciativa 8” ka për qëllim përpos bashkëpunimit ekonomik, edhe atë politik dhe shoqëror.
Nëse ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Bullgarisë pranojnë iniciativën për nisjen e punimeve atëherë do të ketë një takim formal gjatë muajve të parë të këtij viti ku do të finalizohen të gjitha pikat.
“Dje nëpërmjet një letre që kam dërguar deri tek koleget e mija, ministrja e jashtme e Bullgarisë Ekaterina Zaharieva dhe e Shqipërisë Olta Xhaçka, kam iniciuar një iniciativë politike trepalëshe të quajtur Iniciativa 8. Kjo ka për qëllim përforcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, të sigurisë, atë shoqëror dhe kulturor mes tre shteteve. Kjo do jetë shtesë e përpjekjeve për ndërtimin e korridorit 8 që lidhë Detin e Zi me Detin Adriatik,” – tha ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Pavarësisht që kjo iniciativë në mënyrë direkte nuk e prek kontestin e fundit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, i cili ia pezulloi rrugëtimin Shkupit drejt BE së, diplomacia e Maqedonisë së Veriut është e gatshme për të vazhduar edhe dialogun politik për kundërshtitë nëpërmjet cilitdo kanal të mundshëm.
Ministri i Jashtëm Bujar Osmani ka pritshmëri të mëdha nga presidenca portugeze e BE-së. Kontaktet e para me Portugalinë tha ai, flasin për qëllime serioze që të vazhdohet misioni që nisi Gjermania për pajtimin e dy shteteve dhe për nisjen e negociatave.
“Sot në ditën e parë të punës për këtë vit, kemi koordinim me qëllim që të përcaktohen udhëzimet se si do të shkohet më tej në komunikimin me Republikën e Bullgarisë lidhur me tejkalimin e dallimeve, kështu që fillojmë intensivisht, që në ditën e parë, nëse mund ta vlerësoni edhe këtë si një pjesë të iniciativë, megjithatë them se është jashtë kornizave lidhur me ato raporte që lidhen me tejkalimin e problemit,” – tha Osmani.
Pavarësisht reagimeve të ashpra dhe linjave të kuqe të Bullgarisë, Maqedonia e Veriut e sheh me optimizëm këtë vit në aspektin e euro-integrimit.
Kreu i shtetit vazhdimisht po tenton për komunikim me politikanët bullgar për të gjetur një zgjidhje që do jetë e pranueshme për të dy palët.
Por, shumica e analistëve kanë vlerësuar se një zgjidhje eventuale do të vinte vetëm pas zgjedhjeve në Bullgari.