Ditën e sotme u zhvillua mbledhja e zgjeruar e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, ku Rudina Hajdari uli bashkë Ilir Metën dhe Edi Ramën. Një ftesë ishte edhe për Lulzim Bashën i cili nuk ishte i pranishëm sa kohë që aktiviteti ishte zhvilluar nga Kuvendi, ku opozita nuk bën më pjesë.
Të dy ata u shfaqën të shkujdesur. Pasi u përshëndet me bërryl me Ramën (trendi i ri i pandemisë), Ilir Meta foli më drejtpërdrejtë nga të gjithë.
“Vetëm një proces i besueshëm, ku vullneti politik vihet në shërbim të vendit dhe interesave madhore, do të mund të parandalojë krizat e njëpasnjëshme toksike që fatkeqësisht kanë minuar besimin e qytetarëve dhe dëmtuar imazhin e Shqipërisë…”, tha Meta
Presidenti i Republikës nënvizoi ( atë që më pas e mbështeti edhe ministri në Detyrë Gent Cakaj) se, “metodologjia e re e Bashkimit Europian thekson se aty ku përparimi nuk është i vërtetë do të ketë ndëshkim, deri në kthim prapa të procesit të integrimit dhe arritjeve të deritanishme”.
“Kjo do të ishte fatale për ne, veçanërisht duke kujtuar që në nisje të këtij procesi ishim në një korsi me Kroacinë, sot vend anëtar i BE, dhe shumë më përpara Malit të Zi.
Ndaj besoj se jemi ende në kohë për të reflektuar, duke nisur me heqjen dorë nga politika e vendosjes përpara faktit të kryer, e cila e minon dialogun, bashkëpunimin dhe besimin ndërmjet palëve”, tha Meta.
Sot në mbledhjen e zgjeruar të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian
Edhe Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes palëve.
Sipas tij, marrëveshja mes Shqipërisë dhe BE-së ka ndryshuar dhe se integrimi nuk është thjesht aspiratë, por po ndodh në mënyrë konkrete.
“… Shtetet anëtare i kanë kërkuar Shqipërisë të marrë hapat përfundimtare ndaj është thelbësorë që Shqipëria të ruaj frymën e bashkëpunimit…
Kërkohet edhe një ekip negociues dhe me emërimin javën e shkuar, Shqipëria është gati për këto negociata të rëndësishme që kërkojnë punë të madhe dhe kapacitete të forta në të gjitha nivelet e administratës. Marrëdhënia ndërmjet BE dhe Shqipërisë ka ndryshuar në mënyrë thelbësore më 25 mars, nuk është thjeshtë aspiratë, por po ndodh në mënyrë konkrete, strukturat e BE do punojnë gjithnjë e më shumë me Shqipërinë. Do punojmë që legjislacioni i Shqipërisë të jetë në përputhje me atë të BE”, tha Soreca.
Edhe kryeministri Edi Rama foli për bashkëpunimin.
Madje mesazhet më të drejtpërdrejta, Rama i përcolli vetëm kur foli pa letër.
Sipas tij, nuk mundet më të bëjmë marrëveshje nëpër ambasada, kjo duhet te jetë e fundit.
“Nuk është sekret që me Presidentin e Republikës ne kemi çështje të hapura, por patjetër që mund të takoheshim dhe mund të takohemi tek Presidenti i Republikës , tek Kryetari i Kuvendit, tek Kryemyftiu Tiranës, Baba Mondi, tek Kreu i Komunitetit Katolik, mund të shkojmë dhe tek protestantët për të gjetur një fushë që nga pikëpamja religjioze nuk ka anësi, por ne nuk mundet më të bëjmë një dialog dhe marrëveshje nëpër ambasada, kjo duhet te jetë e fundit dhe sa më takon mua personalisht, kjo është e fundit…”, tha Rama
Ta dinë të gjithë miqtë tanë ndërkombëtar, çështje që na takojnë ti zgjidhim vetë, dhe nëse jemi seriozë që duhet ta bëjmë Shqipërinë anëtare të BE, nuk mund të bëjmë sikur nuk jemi të njëjtën kur vjen puna për t’i zgjidhur bashkërisht.
Këtu duhej të ishte patjetër edhe opozita, ajo është alternativa e sotëm dhe qeveria e nesërme. Nesër kur të vijë dita për të hyrë në BE do të jetë një qeveri tjetër dhe cilado qoftë, BE nuk është institucion i konsensusit, në sensin që të gjithë ata anëtarët e BE të bien dakord për të gjithë. Ajo qe bën atë me një nivel të lartë dhe që karakterizon të gjithë ato vende, është jo se sa shumë bien dakord me njëri-tjetrin, por sesi administron mos-dakordësinë. E Administruar me dialog, komunikim, qytetari është një gjë, dhe e administruar me shkulje flokësh, me jargë e zjarr është tjetër gjë. Të gjitha mund të quhen shprehje lirie e demokracie, por ky është dallimi mes të dyjave”, tha Rama.
h.e/Argumentum