Tiranë 21 nëntor 2024 – Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, të akredituar në Tiranë. Në fokus të diskutimeve ishte avancimi i procesit të integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
Ministri Hasani shprehu falenderimet e tij për mbështetjen dhe angazhimin e vendeve të këtij formati në afrimin e rajonit me BE-në, duke nënvizuar se falë përpjekjeve të përbashkëta, Shqipëria arriti të hapë Grupkapitullin e Parë të negociatave të anëtarësimit – “Themeloret”. Sipas ministrit Hasani, kjo arritje është një rezultat i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe mbështetjes së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë.
Ai nënvizoi rëndësinë e ruajtjes dhe forcimit të praktikave të komunikimit dhe bashkëpunimit të këti jformati dhe propozoi krijimin e mekanizmave të rinj, për diskutime të rregullta në nivel drejtorësh politikë, për të thelluar më tej bashkëpunimin dhe përpjekjet për integrimin e rajonit në BE.
“Shqipëria ka hyrë në një fazë të avancuar të procesit të anëtarësimit dhe është e nevojshme të ruhet ritmi dhe të shtohen përpjekjet për integrimin gradual, që nënkupton ndër të tjera edhe pjesëmarrjen graduale në formatet, mekanizmat dhe institucionet e Bashkimit Europian. Ky process do të mundësojë një lidhje më të ngushtë dhe një linjëzim më të mirë të politikave të Shqipërisë me ato të BE-së” tha ministri Hasani.Nga ana e përfaqësuesve të vendeve të formatit “Miqtëe Ballkanit Perëndimor” u shpreh angazhimi për të ofruar mbështetje të vazhdueshme në realizimin e objektivit të përbashkët gjeostrategjik – integrimin e plotë të rajonit në Bashkimin Evropian. Ata vlerësuan rëndësinë e këtij formati dhe shprehën gatishmërinë për të kontribuar më tej në këtë proces.
/Argumentum.al