Përmes një postimi në X kryeministri Edi Rama replikoi me kryetarin e grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi i cili e ka thirrur në interpelancë urgjente për çështjen e Francesko Becchetit dhe gjobës 110 milionë eurot dhënë nga Gjykata e Arbitrazhit në Belgjikë.
Rama shkruan se opozita e rikthen dosjen Bechetti sa herë afrojnë zgjedhjet parlamentare dhe se nuk ka asnjë dokument shtetëror ku shkruhet shlyerja e detyrimit dhe deputetët e opozitës ‘sherrxhinj e gënjeshtarë.
Kryeministri sqaron se do t’i shkojë në interpelancë Bardhit, atëherë kur të ketë dalë rezultati i hetimeve të SPAK për akuzën e Bardhit se vëllai i tij, Olsi Rama, është i përfshirë në grupin kriminal të trafikut të kokainës që ndërtoi laboratorin e drogës në Xibrakë.
Kryeministri thtoë se fjala e fundit e SPAK do të vendosë nëse do të jetë Gazment Bardhi që do të gjykohet për shpifje apo do të gjykohet i vëllai i tij. Nëse mëse SPAK verifikon se i vëllai i tij del trafikant nuk do të jetë më kryeministër dhe as person publik.
Mesazhi i plotë
Më thonë që Gazmend Bardhi më paskërka kërkuar sot urgjent në Kuvend për “100 e kusur milionë Eurot”, se sipas tij i paskërka marrë nga shteti shqiptar ai krimineli italian, të cilin partia e B-ve e ka një nga komerdaret e vjetra, që e nxjerr si rregull përpara se sa të mbytet nga dallga popullore në zgjedhjet e radhës!
Këto “100 e ca milionët” ua treguan me të madhe shqiptarëve, si të marra e të futura në xhep prej italianit në fjalë edhe në 2021-shin, edhe në 2023-shin! Madje prodhuan edhe ca fletushka bakalli, që ua vinin njerëzve në xhamat e makinave, ku bënin thirrje për të votuar kundër meje dhe Partisë Socialiste për inat të “100 e ca milionë Eurove” të humbura për shkakun tim. Dihet se si votuan njerëzit, që qyshse i çuan në opozitë me 1 milionë shpulla dhe i lanë thuajse pa asnjë bashki së fundmi, nuk e kanë ngrënë asnjëherë për djathë sapunin e B-ve të mëdha e të vogla të Partisë Demokratike.
Po pyetja sot është:
A janë vallë kaq injorantë këta sherrxhinj e gënjeshtarë pa din e as iman, sa të mos e dinë që kur nga ky shtet dalin lekë, për çdo detyrim për diçka apo ndaj dikujt, ka dokumenta shtetërorë ku shkruhet shlyerja e detyrimit apo janë vallë kaq të poshtër, sa megjithëse e dinë që në këtë rast nuk ekziston asnjë dokument i tillë, vazhdojnë me avazin e kësaj shpifjeje të vjetër, për të ngritur akuza dhe helmuar popullin për zgjedhjet e reja?! Nuk e di, me shumë gjasë janë të dyja bashkë.
Fakti që s’e luan topi është, se deri në këtë çast që flasim, ai kriminel i dënuar 17 vjet nga gjykata për tërë të zezat, nuk ka marrë akoma asnjë kokërr leku nga shteti shqiptar dhe nuk ka asnjë dokument shtetëror që të provojë të kundërtën! Madje ai ka hyrë tanimë në ca hesape të reja e të vështira shumë me shtetin shqiptar, që e ka denoncuar në prokuroritë e në gjykatat e disa shteteve, për korruptim flagrant të gjykatës së arbitrazhit, ku korrupsioni dhe manipulimi i procesit kundër Shqipërisë është provuar me letra, me zëra e me figura kriminelësh ndërkombëtarë me këmishë dhe kravatë!
Tani këta katranë me bojë dinë vetëm të shpifin, pastaj shpifjen ta përhapin në kanalet e ujrave të tyre të zeza mediatike dhe pastaj të kërkojnë komisione hetimore e intepelanca, për të kërkuar llogari nga ne për shpifjet e tyre! Mirëpo kjo lojë nuk ecën dot fare me ne dhe gjykata e llogarive tona e të tyre do të na dëgjojë e do të na japë hakun në pranverë, kur populli shqiptar, brenda po edhe jashtë kufijve këtë herë, do të vendosë se kush duhet të qeverisë dhe kush duhet të rrijë në opozitë e me kismet, të mësojë se si mund të qeverisë në të ardhmen.
Megjithatë, unë do t’i shkoj në çdo interpelancë Gazmend Bardhit, por vetëm pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës, që ai ka zbuluar në familjen time dhe vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është. Sepse nëse im vëlla del trafikant nuk do të kem si të shkoj, përkundrazi, nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiçfare. Por pa u zgjidhur e zbardhur plotësisht nga drejtësia kjo çështje, unë nuk kam sy e faqe të përballem me zbuluesin që pretendon me zë shumë të lartë, se ka hedhur dritë jo vetëm mbi aktivitetin kriminal të vëllait tim, po edhe mbi përfshirjen time kriminale në fshehjen e “personit të paidentifikuar, 45 vjeç, me kapele”, i cili sipas Gazmendit na qenka Olsi Rama dhe unë, duke abuzuar me detyrën dhe madje shpërblyer dy prokurorët e dosjes së laboratorit të drogës në Xibrakë, ia paskam fshehur drejtësisë.
Kam muaj e muaj që pres të vërtetën nga SPAK-u, ku Gazmend Bardhi shkon shpesh për të luftuar korrupsionin e kriminelët e qeverisë sime dhe nuk do lodhem së prituri, përpara se sa të bëj njërën nga të dyja. O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmendit dhe pastaj shohim e bëjmë si vete kjo mesele më tutje, në sy të shqiptarëve e në rrugën e mëtejshme të drejtësisë, ku o do gjykohet im vëlla, o do gjykohet Gazmend Bardhi!