Shpresat nuk mungojnë që në takimin e fund Qershorit të Këshillit Europian, Shqipëria të marrë një datë për Konferencën Ndërqeveritare, por gjithsesi për kryeministrin Rama çështja ende duke u negociuar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë mund të bëhet pengesë për ndezjen e dritës jeshile.
“Për fat të keq tashmë, unë u mësova të mos habitem më me atë që mund të ndodhë në Bruksel, sepse është një çështje e dinamikës së brendshme, një histori konsensusi që ndonjëherë është i vështirë, normalisht duhet ta marrim dritën jeshile duke mbajtur parasysh se ka një problem tjetër mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, sepse ne dhe Maqedonia e Veriut e presim sëbashku këtë vendim dhe do të shohim nëse ky problem do të zgjidhet përpara samitit”.
Në intervistën dhënë për France24, Rama pyetet për pastrimin e radhëve të drejtësisë nga Vettingu dhe shpjegon se sa e rëndësishme është kjo reformë për procesin e anëtarësimit, por dhe për vetë zhvillimin e Shqipërisë.
“Për herë të parë gjatë këtyre viteve të fundit, pandëshkueshmëria ia ka lenë vendin shtetit të së drejtës dhe nëse ka një prokuror të përgjithshëm apo ish-personalitete si në sistemin gjyqësor edhe në sistemin politik në përgjithësi që dënohen, atëherë kjo është një shenjë shumë e mirë që tregon lindjen e diçkaje që është shumë e rëndësishme, shteti i së drejtës. Pikërisht për këtë ne duam të vazhdojmë procesin e bisedimeve sepse kjo na mundëson të ndërtojmë një shtet të së drejtës, një demokraci funksionale”.
Lajmet për atë që u përkufizua si çështja e patronazhistëve gjatë fushatës nuk kaluan pa jehonë dhe në mediat franceze, ndaj i pyetur Rama duket i kënaqur të bëjë sqarimet e tij.
“Jam shumë i kënaqur që ju më pyesni, sepse kam parë që ka pasur artikuj surrealë edhe në Francë. Nuk bëhet fjalë për të dhëna personale konfidenciale që kanë dalë, por bëhet fjalë për të dhëna të organizatave të partive, por që nuk kanë asnjë lidhje me të dhënat personale dhe konfidenciale të Gjendjes Civile”.
Kryeministri komenton dhe ecurinë pozitive dhe procesit të vaksinimit dhe mungesën në muajt e parë të mbështetjes nga BE.
Rama: Po, qytetarët tanë parashikojnë të udhëtojnë shumë. Për më tepër, siç ju e thatë mirë, një pjesë e madhe e popullsisë sonë jeton përtej kufijve të Shqipërisë dhe për ne ky ka qenë një lajm shumë i rëndësishëm, sepse kemi bërë një punë mjaft serioze për të luftuar pandeminë dhe me rezultate që janë vlerësuar nga të gjithë. Shqipëria ka qenë në krye të vendeve europiane si për përqindjen e vaksinimit dhe për shifrat e infektimit dhe të vdekjeve.
Pyetje: Vaksinimi juaj nuk është plotësisht masiv, jeni në shifrat e 50% për të vaksinuarit me dy doza. Cilat vaksina përdorni ju në Shqipëri dhe a mendoni se vendet europiane kanë qenë mjaft solidare me ju dhe ju kanë ndihmuar për sa u përket vaksinave.
Rama: Kur flas për vaksinimin masiv dhe për ritmin e vaksinimit, kam parasysh statistikat e BE, sipas të cilave Shqipëria ka qenë prej muajsh në vendet e para; Shqipëria ka qenë deri dje në shifrat e 850 000 dhe në një vend më numrin aktual të banorëve kjo është shumë. Për sa i përket Europës, do të thoja se fillimisht ishte për të ardhur keq sepse të gjitha vendet e Ballkanit u lanë jashtë skemave të shpërndarjes, dhe në fakt, ne nuk ishim vetëm, por në një gjendje psikologjike mjaft të rënduar, sepse ne jetojmë me Europën. Ne në Ballkan jemi në mes të Europës dhe jemi të kufizuar nga vendet e BE-së dhe duke parë në televizor se vendet e Europës kishin filluar të vaksinoheshin, jo, ishte me të vërtetë e rëndë.
Pyetje: Ju jeni vaksinuar tashmë, cilën vaksinë keni bërë?
Rama: Unë personalisht kam bërë Pffizer, por ne në Shqiperi i kemi të katërta, Pffizer, AstraZeneca, Sinovac dhe Sputnik.
Pyetje: Me kinezen apo rusen, cilëndo vaksinë qoftë, së fundmi ju u keni hapur plotësisht dyert turistëve. A nuk jeni të shqetësuar se mund të riinfektoni vendin?
Rama: Siç e thashë, ne patëm një sukses të madh me ecurinë dhe praktikisht bashkë me Islandën, sipas statistikave të fundit, jemi vendi me nivelin 1 të riskut. Që prej disa muajve tashmë, njerëzit në Shqipëri mund të hyjnë dhe të dalin pa detyrimin e testit, pa maska. Maskat nuk jane më të detyrueshme që prej disa muajve tashmë. Ato mbahen akoma në ambientet e mbyllura, por nuk ka probleme dhe masa që i detyrojnë qytetarët të mos jenë të lirë.
Pyetje: Ju shpresoni hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Është e vërtetë se ka pasur një bllokim nga ana e Francës, por ai është hequr. Parlamenti holandez miratoi vlerësimin e Brukselit për vendin tuaj lidhur me hapjen e negociatave. A shpresoni ju se kjo do të arrihet në samitin e ardhshëm, më 24 e 25 qershor ?
Rama: Duhet thënë se në samitin para pandemisë, u vendos që të hapeshin bisedimet, më tej kjo u zgjat sepse duhej të merrej një vendim për të thirrur Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Për fat të keq tashmë, unë u mësova të mos habitem më me atë që mund të ndodhë në Bruksel, sepse është një çështje e dinamikës së brendshme, një histori konsensusi që ndonjëherë është i vështirë, normalisht duhet ta marrim dritën jeshile duke mbajtur parasysh se ka një problem tjetër mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, sepse ne dhe Maqedonia e Veriut e presim së bashku këtë vendim dhe do të shohim nëse ky problem do të zgjidhet përpara samitit.
Pyetje: Sidoqoftë, ka qenë i bllokuar edhe nga pandemia. Ju jeni kryetari i Partisë Socialiste. Ju jeni zgjedhur kryeministër në 2013, pas një fushate plot debate, e vlerësuar si pak demokratike dhe transparente nga BE-ja, pastaj kjo u përsërit në 2017 me mazhorancën tuaj në parlament dhe u rizgjodhët për herë të tretë më 25 prill 2021. Zgjedhje të kontestuara, një fushatë e karakterizuar nga fyerje dhe akuza për korrupsion. Unë kam qenë katër herë në Shqipëri dhe kam parë se fushatat nuk janë asnjëherë të qeta. Si e shpjegoni ju?
Rama: Sa për fillim, fushatat e qeta nuk mund të quhen fushata. Nuk ka patur gjatë zhvillimit të kësaj fushate ngjarje jashtëzakonisht të forta. Por, jemi në Ballkan, në Mesdhe, ku fushatat janë shumë shumë të ngjashme po të krahasohemi me Greqinë, me Italinë, le të themi në Europën më pasionante.