Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri rezultuan me një rritje prej 11,6% gjatë vitit të kaluar.
Sipas ministrise se Financave dhe Ekonomise pritshmëritë janë që IHD të arrijnë rreth 1 miliard euro, në përllogaritjen e vitit të plotë 2018, duke shënuar kështu rritje për të tretin vit radhazi.
“Pavarësisht se projektet e mëdha energjetike kanë hyrë tashmë në fazën përfundimtare të ndërtimit, me një konfidencë të lartë mund te them, se Investimet e Huaja Direkte do të arrijnë rreth 1 miliard euro për të tretin vit radhazi, një sinjal ky mjaft pozitiv për perceptimin e investitorëve të huaj mbi ekonominë tonë”, thekson ministria e Financave.
Referuar shifrave zyrtare, krahas investimeve të huaja në sektorë strategjikë të ekonomisë së vendit, reformat që ka marrë qeveria në përmirësimin e klimës së biznesit dhe ulja e barrës fiskale, ka sjellë vitet e fundit, rritje të ndjeshme të ndërmarrjeve dhe bizneseve të huaja në vendin tonë.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT, konfirmojnë se, ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zunë 3,9% të ndërmarrjeve aktive në vendin tonë, me rritje 3.5% krahasuar me vitin 2016.
Në këtë shifër, ndërmarrjet nga vendet Bashkimit Evropian përfaqësojnë 66.7% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta.