Sipas të dhënave të publikuara ditët e fundit nga Ministria e Tregtisë e Kinës, investimet kineze jashtë vendit vitin e kaluar arritën në 145 miliardë e 190 milionë dollarë, duke u shtuar 9.2 % në krahasim me vitin 2020. Njëkohësisht, edhe investimet në vendet përgjatë “Një brez, një rrugë” janë shtuar shpejt. Eksperti përkatës u shpreh se marrëveshja e Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) që do të hyjë në fuqi këtë vit, do të nxitë shtimin e investimeve kineze jashtë vendit.
Në vitin 2021, vlera e kontratave të reja të nënshkruara mes Kinës e vendeve të tjera arriti në 258 miliardë e 490 milionë dollarë, duke u shtuar 1.2% në krahasim me vitin 2020. Në kushtet kur ekonomia globale ende nuk është mëkëmbur, ky rezultat është arritur me vështirësi. Drejtorja e Institutit të Kontraktimit të Jashtëm pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës Xing Houyuan tha:
“Në sfondin e uljes së ekonomisë globale të shkaktuar nga pandemia, shumë vende kanë rënie ekonomike dhe u mungojnë investimet në infrastrukturë. Njëkohësisht, tregu global është ulur shumë dhe mund të thuhet se Kina është fituesja në këtë sfond.”
Në vitin 2021, u vë në përdorim hekurudha Kinë-Laos, përfundoi faza e dytë e rrugës së re Veri-Jug të Kirgizistanit dhe u përurua ura hekurudhore e lumit Tongjiang në provincën Heilongjiang, ura e parë hekurudhore mes Kinës e Rusisë. Përurimi i projekteve të bashkëpunimit u ka sjellë vendeve përkatëse përfitime konkrete. Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë të Kinës Su Yuting vuri në dukje se investimet kineze në vendet përgjatë “Një brez, një rrugë” janë shtuar vazhdimisht:
“Investimet jofinanciare kineze në vendet përgjatë ‘Një brez, një rrugë’ arritën në 20.3 miliardë dollarë, duke u shtuar 14.1% në krahasim me vitin 2020. Investimet kineze kanë luajtur rol aktiv për rritjen ekonomike të vendeve përkatëse. Janë nënshkruar 560 kontrata të reja me vlerë mbi 100 milionë dollarë, 46 më shumë se në vitin 2020, të cilat përqendrohen kryesisht në fushën e infrastrukturës, si transporti etj. Njëkohësisht, ndërtimi i zonave të bashkëpunimit ekonomik jashtë vendit ka pasur arritje të dukshme.”
Nënkryetari i Komisionit Akademik pranë Ministrisë së Tregtisë Zhang Jianping është i mendimit se shumica e vendeve përgjatë “Një brez, një rrugë” janë në zhvillim ose ekonomi të reja, dhe kanë shumë nevojë për fonde në përkrahje të ndërtimit të infrastrukturës, të industrializimit etj. RCEP që do të hyjë në fuqi këtë vit, do të nxitë shtimin e investimeve kineze në këto vende.
“Shumica e vendeve që janë anëtarësuar në RCEP janë partnere bashkëpunimi të nismës ‘Një brez, një rrugë’. Mund të thuhet se RCEP-i është platforma më e madhe e integruar në kuadrin e ‘Një brez, një rrugë’, i cili përfshin tregtinë e mallrave, shërbimet, investimet etj. Prandaj RCEP-i do të nxitë me siguri ndërtimin me cilësi të lartë të ‘Një brez, një rrugë’,” tha Zhang Jianping. /CRI