Më 27 mars, Irani dhe Kina kanë nënshkruar një marrëveshje kundërthënëse dypalëshe.
Detajet e kësaj marrëveshje, që thuhet se do të jetë në fuqi për 25 vjet, ende nuk janë zbuluar, por pritet që të përfshijnë investimet kineze në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës së Iranit.
Kina është partnerja kryesore tregtare e Iranit dhe treg kryesor për eksportet e Iranit, që janë goditur rëndë nga sanksionet ekonomike të Shteteve të Bashkuara.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif dhe homologu i tij kinez, Wang Yi, i cili arriti në Teheran një ditë më parë.
Televizioni shtetëror e përshkroi këtë marrëveshje si “pakt bashkëpunimi strategjik 25-vjeçar”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Said Khatibzadeh tha më 27 mars se kjo marrëveshje përfshin komponentë “politikë, strategjikë dhe ekonomikë”.
Marrëveshja po ashtu përfshin rritjen e bashkëpunimit ushtarak dhe të sigurisë, thuhet në një draft-dokument të publikuar të kësaj marrëveshjeje.
Zyrtarët iranianë kanë thënë se kjo marrëveshje fillimisht ishte propozuar në janar të vitit 2016, kur presidenti kinez, Xi Jinping kishte vizituar Iranin.
Kjo marrëveshje publikisht është mbështetur nga lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
Iranianët kanë akuzuar zyrtarët se po fshehin detajet e kësaj marrëveshjeje dhe kanë frikë se me këtë pakt, Teherani do të bëjë shumë koncesione ndaj Pekinit.
Irani viteve të fundit është drejtuar shumë kah Kina, pasi është përballur me presionin në rritje të SHBA-së, që ka izoluar Teheranin.
SHBA-ja, gjatë presidencës së Donald Trumpit, më 2018 njëanshëm u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e arritur ndërmjet Teheranit dhe fuqive botërore.
Trumpi ka aplikuar politikën e “presionit maksimal” ndaj Teheranit dhe ndaj programit të tij bërthamor.
Marrëveshja bërthamore kishte për qëllim lehtësimin e sanksioneve ndërkombëtare, në këmbim të frenimit të programit bërthamor, të cilin Teherani thotë se e përdorë në mënyrë strikte për qëllime civile.
Presidenti i ri amerikan, Joe Biden ka dhënë sinjale se është i gatshëm që ta ringjallë këtë marrëveshje.