Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare të Iranit i shpalli forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Azinë Perëndimore “organizatë terroriste”.
Lajmi u kumtua nga televizioni shtetëror i Iranit dhe agjencia shtetërore e lajmeve Irna, vetëm pak orë pasi Uashingtoni njoftoi se ka shpallur Gardën Revolucionare të Iranit organizatë të huaj terroriste.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se vendi i tij do të vazhdojë të rrisë presionin financiar dhe koston për Iranin për shkak të “mbështetjes që i jep aktivitetit terrorist”.
“Ky përcaktim është hera e parë që Shtetet e Bashkuara shpallin një pjesë të një qeverie tjetër organizatë të huaj terroriste”, tha Trump.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se vendimi do të hyjë në fuqi brenda një jave.
Duke folur për gazetarët në Uashington, Pompeo kërkoi nga të gjitha bankat dhe bizneset që t’i ndërprenë marrëveshjet me Gardën Revolucionare.
Kritikët kanë paralajmëruar se një hap i tillë mund t’i bëjë zyrtarët ushtarakë amerikanë të cenueshëm përballë veprimeve të ngjashme të vendeve armiqësore.
Por, këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, John Bolton, tha se masa dëshmon vendosmërinë e Amerikës për të rritur presionin mbi Teheranin, në mënyrë që ky i fundit të ndalojë përdorimin e terrorizmit si “mjet të qeverisjes”.
Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare të Iranit tha se vendimi i SHBA-së rrezikon paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe në nivel global.