Irani sulmoi Izraelin me raketa balistike më 1 tetor, në përgjigje të fushatës së Izraelit kundër Hezbollahut të Libanit, duke shënuar një përshkallëzim të ri të konfliktit midis Izraelit dhe grupit militant të mbështetur nga Irani.
Zëdhënësi ushtarak i Izraelit, Daniel Hagari, tha se ushtria nuk ishte në dijeni për ndonjë lëndim dhe, rreth një orë pas fillimit të sulmit, tha se tani izraelitët mund të dilnin nga strehimoret. Ai e përshkroi sulmin si serioz dhe tha se do të kishte pasoja.
Një palestinez u vra nga pjesët që ranë nga një raketë e interceptuar, sipas kryetarit të qytetit të Jerikos në Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli, dhe policia izraelite raportoi se të paktën gjashtë njerëz u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën në një sulm me armë dhe thika në Tel Aviv.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme ta ndihmonin Izraelin të mbrohej, ndërsa këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, e quajti këtë zhvillim një përshkallëzim domethënës nga Irani.
“Është e rëndësishme që ne arritëm të bashkëpunojmë me Izraelin dhe të krijojmë një situatë në të cilën askush nuk u vra në këtë sulm në Izrael”, u tha Sullivan gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne e kemi bërë të qartë se do të ketë pasoja, pasoja të rënda, për këtë sulm, dhe ne do të punojmë me Izraelin për ta bërë këtë”, shtoi ai.
Zyrtarë nga Departamenti amerikan i Shtetit [DASH] dhe Pentagoni bënë të ditur se SHBA-ja kishte ndihmuar Izraelin në ndaljen e raketave të Iranit.
“Izraeli ka të drejtë ta mbrojë veten, por ne do të koordinohemi me ta për atë se si do të duket ndonjë përgjigje [ndaj sulmit]”, tha zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller.
Korpi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) tha se sulmi me raketa kishte si shënjestër tri baza ushtarake rreth Tel Avivit.
Ai gjithashtu paralajmëroi se nëse Izraeli do të reagonte, përgjigja e Teheranit do të ishte “më shkatërruese dhe rrënuese”. Grupi palestinez Hamas, që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, e quajti sulmin “heroik.”
Irani kishte premtuar se do të hakmerrej për sulmet ajrore izraelite të javëve të fundit që vranë udhëheqësinë e lartë të Hezbollahut në Liban, grupit militant që është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.
Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë krahun e armatosur të Hezbollahut, por jo partinë e tij politike, e cila ka vende në parlamentin libanez. Ndërsa, grupi palestinez, Hamas, është shpallur organizatë terroriste edhe nga SHBA-ja, edhe nga BE-ja.