Se politika nuk bëhet me inate ditore dhe teke të çastit por me vizion të qartë dhe në staza të gjata tregon rasti i fundit në korpusin elektoral shqiptar në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi. Për çka bëhet fjalë?
Tirana dhe Prishtina zyrtare jo vetëm që kanë obligim por edhe detyrim të përkrahin dhe të orientojnë shqiptarët kudo që janë, në këtë mënyrë edhe ato në Mal të Zi. Për më shumë, mobilizimi, vëmendja dhe ndërgjegjësimi i shteteve shqiptare, Tiranës dhe Prishtinës për të drejtuar sytë ka shqiptarët në Mal të Zi duhet përshëndetur. Në këtë të drejtë nuk mund të akuzojë kush as Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe as presidentin e Kosovës Hashim Thaçi apo edhe dy ministrat e punëve të jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës, Gent Cakaj dhe Meliza Haradinaj – Stublla. Por ku qëndron problemi?
Tirana dhe Prishtina zyrtare për herë të parë u mobilizuan kaq dukshëm dhe në momentin kur ”shkopi magjik” doli të mos jetë i duhuri, rrëshqitën në gabimet e mëdha.
Dalja publike me video mbështetje ndaj koalicionit të DPS-it nga ana e kryministrit shqiptar Edi Rama bëri dëm të dyanshëm: disa vota shqiptare ndoshta i çoi te DPS-i kurse mobilizoi edhe më shumë elektoratin dyshues joshqiptar për të çuar votat në partitë proserbe.
Te korpusi shqiptar, pasi nuk u arrit bashkimi i shqiptarëve në një listë, rrëshqitja tjetër e madhe që krijoi edhe iritimin e shqiptarëve në Mal të Zi, sidomos në Ulqin, ishte mbështetja nga ana e Tiranës dhe Prishtinë zyrtare të një liste shqiptare duke mos e përfill aspak tjetren. Rezultati i këtij iritimi ishte rritja e ndjeshme e DPS-it në Ulqin por edhe e Lëvizjes URA.
Rezultati i këtij iritimi te shqiptarët në Mal të Zi paraqitet kryekëput edhe në reultatin final te listat zgjedhore shqiptare. Koalicioni shqiptar ”Bashkë nji za” luftonte për çdo votë për të kaluar cenzusin prej 0,7%, së paku ashtu tregonin sondazhet parazgjedhore, por arriti jo që ta kalojë këtë numër por të arrijë në shifrën 1,14% dhe të jetë pothuajse i barabartë më listen tjetër shqiptare. Nga ana tjetër Lista Shqiptare ”Genci Nimanbegu – Nik Gjeloshaj” që arriti të marrë vetëm 1,58% të votave pas përkrahjes më të madhe të mundshme nga dy qendrat shqiptare paraqet se sa ndikim të ultë kanë udhëheqësit aktual të Tiranës dhe Prishtinës te elektorati shqiptar në Mal të Zi.
Sikur menaxhimi me mbështetje në situatën e krijuar të ishte më i balancuar, disa vota më shumë për partitë shqiptare, cilës do listë që do i shkonin (në fund ata mblidhen së bashku dhe japin numrin e deputetëve brenda listave), do të bënte që ndoshta sot mund të flisnim për 3 deputetë shqiptarë të cilët në situatën pasgjedhore do të ishin vendimtar për formimin e qeverisë së re në Mal të Zi.
Elementi i vetëm pozitiv i Tiranës dhe Prishtinës zyrtare nga zgjedhjet e vitit 2020 në Mal të Zi është ”hedhja e syve” edhe nga këto anë por që e gjithë kjo duhej ndjekur me një studim të mirëfilltë të situatës politike këtu, vizion, platformë të qartë dhe pa tupan. /Opinion nga Ulqini Online