Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka shprehur qëndrimin për heqjen e taksës 100% ndaj Serbisë pasi kjo është kërkesë e SHBA dhe BE. Z. Mustafa thotë se taksa nuk është një instrument që mund të çojë Serbinë në njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe për këtë arsye duhet hequr për t’i hapur rrugën dialogut.
“Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar të Komisionit Evropian dhe sidomos pas angazhimit shumë aktiv të SHBA-ve me përfaqësuesin special të Presidentit Trump, ambasadorin Grenell, tarifa objektivisht mbetet vetëm si relikt, i cili po i shërben Serbisë të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare dhe disave në Kosovë si mjet i vetëm i një kauze të paqëndrueshme politike. Askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës. Por, shumicës dërmuese iu mbushet mendja se SHBA-të, në rend të parë, dhe BE mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të dialogut, ta njohë shtetin e Kosovës”, shprehet kreu i LDK-së.
Z. Mustafa nënvizon se deputetët e LDK-së do të votojnë nesër në Parlament për heqjen e menjëhershme të taksës, duke shtuar se, “në qoftë se Serbia, nuk e ndal fushatën kundër Kosovës dhe nuk mënjanon pengesat tregtare dhe ekonomike, LDK mbetet e përkushtuar për aplikimin e masave të reciprocitetit pas një periudhe që Qeveria e akordon me SHBA-të dhe BE-në”.
Reagon Grenell;
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka komentuar kërkesën e liderit të LDK-së, Isa Mustafa, që taksa ndaj mallrave të Serbisë të hiqet tërësisht, sipas kërkesës së SHBA-së.
Duke komentuar postimin e Mustafës në Twitter, Grenelli ka thënë se heqja e tarifës ndaj këtyre mallrave do të ishte fillim i mirë për më shumë progres.
“Postim shumë i mirë. Isa Mustafa është lider i guximshëm. Heqja e taksës nesër do të ishte fillim i shkëlqyeshëm për më shumë progres dhe do të kishte lëvizje të shpejtë. Por zhvillimi ekonomik nuk mund të ecë përpara për sa kohë taksa nuk hiqet”, ka shkruar Grenell.
Në postimin e tij, Mustafa ka thënë se ka menduar që nga fillimi se taksa ndaj mallrave serbe nuk kishte asnjë justifikim ekonomik, por ishte masë mbrojtëse për dështimet, sidomos në politikën e jashtme.
Grenell ditë më parë e kishte cilësuar gabim serioz paralajmërimin e kryeministrit Albin Kurti për heqjen e pjesshme të taksës.