Alexander Arvizu, ish-ambasadori i SHBA në Tiranë, në një intervistë me Skype nga Uashingtoni me gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, i pyetur për zhvillimet politike në vend deklaron se aktualisht shumë shqiptarë ndihen të depresionuar dhe të sfilitur.
“E di që opozita ndihet shumë e frustruar”, thotë Arvizu, i cili thekson se “po të ngrihen pyetje mbi legjitimitetin e zgjedhjeve të 2017, tanimë në 2019, logjika nuk qëndron, nuk bën shumë sens”, deklaroi Arvizu.
Unë besoj, deklaron Alexander Arvizu, se qeveria e mori pushtetin këtë mandat ashtu siç edhe ndodhi me mandatin e shkuar, në mënyrë shumë legjitime.
I pyetur për kërkesën e opozitës për një qeveri tranzitore, Arvizu shprehet se “në këtë rast, mua nuk më duket si një veprim i menduar mirë” thotë ai.
“Në një moment të caktuar Perëndimi kishte besim tek Z. Basha”, deklaron Arvizu, i cili më tej shpreh mendimin se një pjesë të mirë të këtij besimi e ka humbur.
“Mendoj se Qeveria Rama mund të bënte më shumë në aspektin e të dëgjuarit të popullit”, thotë Arvizu, sipas të cilit qeverisja e Ramës ka pasur zhvillime pozitive, por ka pasur edhe zhgënjime, siç është rasti i skandalit me Unazën e Re.
Pjesë nga intervista:
“Në fakt nuk jam më pjesë e Departamentit të Shtetit, kështu që lajmi i mirë është që mund të flas lirisht dhe këndvështrimi im mbetet vetëm i imi, por lajmi jo i mirë është se nuk jam në brendësi të të gjitha diskutimeve që po ndodhin. Kam shumë besim tek Ambasada Amerikane se do të vazhdojë të raportojë mbi zhvillimet në mënyrë të saktë si dhe ta përcjellë këtë ndjesi nga Uashingtoni.
Por duhet të them se u shpreha që njerëzit po ndihen të sfilitur dhe disi të depresionuar, dhe mendoj që mbase kjo është e vërtetë dhe për komunitetin ndërkombëtar, dhe kur flasim për Uashingtonin, Brukseli apo miqtë tuaj në vende të tjera të Europës. Të gjithë duan më të mirën por duket sikur i ngjan një déjà vu-je që përsëritet.
Dhe mendoj që një problem specifik me strategjinë aktuale të opozitës, që mesa duket quhet djegie e mandateve, duket një sjellje tejet shqiptare. Kurrë nuk e ka dëgjuar këtë më parë. Por ajo që po ndodh duket thjeshtë si taktikë.
Është tejet taktike dhe ne mund t’i hyjmë një diskutimi tjetër nëse kjo është një taktikë e mirë apo e keqe. Por me sa duket kjo nuk është e bazuar mbi një strategji. Dhe e gjitha është vetëm taktikë, asnjë strategji taktike, asnjë rrugëdalje.
Dhe unë mendoj se ky është një problem real me situatën aktuale dhe natyrisht dhuna nuk është asnjëherë zgjidhja. Kam parë disa nga filmimet dhe nuk jam i sigurtë se si një burrë i vjetër që djeg gomat para parlamentit, [nuk jam i sigurtë] se çfarë problemi është i presupozuar të zgjidhë.
Po të ngrihen pyetje mbi legjitimitetin e zgjedhjeve të 2017, tanimë në 2019, nuk e di po logjika nuk qëndron, nuk bën shumë sens. Dhe kur njerëzit thonë se ishin lekë droge, apo çdo lloj paraje tjetër e pisët që ua bëri të mundur njerëzve të zgjidheshin në 2017.
Natyrisht mund të debatojmë mbi korrupsioni apo këtë apo atë gjë, por rezultatet e zgjedhjeve ishin shumë të qarta. Në 2017 gjërat ishin konsistente me ato çfarë kishim parë në vitet e fundit. Dhe kjo përfshinte LSI që pati një prezencë të fortë në 2017.
Të kthehem edhe njëherë te ajo ideja e “djegies së mandateve”, mendoj se, duke marrë parasysh specifikat, është diçka e re, por në aspektin e taktikës së përgjithshme, nuk është aspak e re. Cili është ndryshimi midis djegies së mandatit dhe organizimit të një bojkoti apo të vendosjes se një çadre përpara Kryeministrisë?
Janë thjeshtë taktika konfrontuese. Në disa raste, edhe këto janë të nevojshme, por duket sikur situata po përsëritet herë pas here, dhe prandaj, siç e përmenda edhe më parë, populli është i sfilitur dhe i dëshpëruar. Mendoj që edhe ndërkombëtarët janë disi të frustruar. Por, ne kemi interes për Shqipërinë që shkon përtej marrëdhënieve dypalëshe.