Aktivisti i shoqërisë civile dhe ish-deputeti i pavarur nga koalicioni i LSDM-së, Pavle Bogoevski ka shkruar një letër publike drejtuar shqiptarëve me rastin e 19 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.
Ndër të tjera ai shkruan:”Ne, Maqedonasit progresivë kemi obligim të merremi me nacionalistët dhe radikalët në radhët tona – gjithashtu keni edhe ju. Me fjalë tjera, siç është obligimi ynë t’u dëshmojmë se jo të gjithë Maqedonasit janë përbindësh nacionalistë si Gruevski, Tarçullovski, Gjorçevi ose Apasievi – ashtu edhe ju keni për obligim të na dëshmoni se jo të gjithë shqiptarët janë militantë kriminelë për të cilët shenjtëria e vetme janë paratë dhe fuqia, siç janë Ahmeti, Grubi, Alimi dhe tjerët si ata“.
Letra e plotë:
Të nderuar shokë dhe shoqe,
Ka një gjë që më rrotullohet në mendje që nga dita kur hyra në Parlament dhe u njoha me BDI dhe mënyrën e tyre të punës, por deri tani nuk kam pasur mundësi të shkruaj për këtë. Bëhet fjalë për përgjegjësinë qytetare të Shqiptarëve në shtetin tonë.
Të qartësojmë një gjë – unë jam mbështetës i madh i konceptit Një shoqëri për të gjithë dhe me çdo qelizë të qenies time besoj në barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit. Kur u kandidua Imer Selmani për President, unë votova për atë – sepse më pëlqeu programi i tij më tepër. Si deputet, unë e votova Ligjin për përdorimin e gjuhëve edhe pse kisha dhe ende kam vërejtje për cilësinë e tekstit ligjor. E votova implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në Preambulën e Kushtetutës. E votova kryetarin e parë Shqiptar të Kuvendit më 27 prill. A e dini se derisa “burrat” e BDI-së shëtitnin të qeshur përskaj dhunuesve, gratë deputete ishin të braktisura dhe të ngujuara me mua, ndërsa unë i pranoja goditjet për ato?
Do të veproja njësoj përsëri, me kënaqësi dhe krenari të madhe.
Mirëpo, siç ne, Maqedonasit progresivë kemi obligim të merremi me nacionalistët dhe radikalët në radhët tona – gjithashtu keni edhe ju. Nuk është problemi që Ahmeti kërkon kryeministër shqiptar, problemi është që kërkon KRYEMINISTRIN E TIJ SHQIPTAR dhe që këtë e paraqet si kusht të vetëm për koalicionimin e ardhshëm qeveritar. Pa cilësi tjera, pa prioritete tjera – vetëm kërkesë nacionale e cila duhet ti sjell fuqi politike. Atëherë shokë dhe shoqe, kjo politikë nuk është më politikë nacionale, por nacionaliste dhe asnjë tjetër.
Ne kemi shumë probleme ndëretnike për të cilat duhet të punojmë – zhvillimin e barabartë rajonal, urbanizimin e vendbanimeve, qasjen e barabartë dhe mundësitë – por këto probleme nuk guxojnë të jenë folklorike nga natyra.
Ju pyes sinqertë – a ju dhemb më tepër himni që u drejtohet vetëm Maqedonasve ose ajo që fshatrat shqiptare në disa nga komunat maqedonase pranojnë thërrime nga buxheti? Ose ajo që Shqiptarët shumë më rëndë punësohen në kompanitë private me pronarë Maqedonas dhe strukturë dominonte maqedonase? Ose ajo që ende ka prind maqedonas që nuk i lejojnë fëmijëve të tyre maqedonas të shoqërohen me shokët e tyre shqiptarë?
Mirëpo, kjo monedhë ka dy anë. Edhe ne na dhemb që Shqiptarë të punësuar përmes BDI nuk shkojnë në punë në administratën shtetërore, ndërsa marrin rrogë.
Këto janë problemet për të cilat duhet të bisedojmë, shokë dhe shoqe. Mirëpo politikanët, identiteti i të cilëve bazohet vetëm në nacionalizëm, asnjëherë nuk do të lejojnë të bisedojmë për këto probleme. E dini pse? Sepse, e para, vetë këta politikanë janë meritorë për këto, dhe e dyta – dhe më e rëndësishmja, sepse këto probleme mund të zgjidhen. Dhe kur të zgjidhen këto, problemet e vërteta, atëherë në skenë nuk do të nevojiten politikanë të cilët përveç folklor politikave dhe skandimeve “UÇK, UÇK” nëpër mitingje, nuk dinë tjetër gjë. Prandaj, në vend se të flasim për probleme të vërteta, ne në çdo zgjedhje merremi me kërkesa të reja, edhe më nacionaliste edhe më folklorike të cilat nuk kanë të bëjnë me ndërtimin e vërtetë të një shoqërie për të gjithë dhe nevojat reale të qytetarëve.
Për fat të keq, të gjithë faktorët aktual politik shqiptarë dinë të flirtojnë me këtë mënyrë të praktikimit të politikës.
Duhet të jeni të vetëdijshëm se nëse nuk ka zë tjetër, progresiv në partitë shqiptare politike, Maqedonasit do të mendojnë se nacionalistët si Ahmeti i përfaqësojnë të gjithë Shqiptarët dhe Shqiptaret në shtetin tonë, dhe se prioritetet politike të të gjithë shqiptarëve janë po aq radikale dhe nacionaliste si prioritetet e atyre që pretendojnë se i përfaqësojnë.
Me fjalë tjera, siç është obligimi ynë t’u dëshmojmë se jo të gjithë Maqedonasit janë përbindësh nacionalistë si Gruevski, Tarçullovski, Gjorçevi ose Apasievi – ashtu edhe ju keni për obligim të na dëshmoni se jo të gjithë shqiptarët janë militantë kriminelë për të cilët shenjtëria e vetme janë paratë dhe fuqia, siç janë Ahmeti, Grubi, Alimi dhe tjerët si ata.
Në të kundërtën, ta humbisni pashmangshëm mbështetjen e Maqedonasve progresivë ndaj konceptit të Një shoqërie për të gjithë. Rritja e nacionalizmit shqiptar për shndërrohet në temë të shpeshtë të bisedave mes Maqedonasve. Dhe besoni, nuk dëshironi të mbeteni pa argumente në këto diskutime.
Prandaj, ju bëj thirrje të merreni me këtë baticë të shëmtuar të nacionalizmit te ata që e quajnë veten se janë liderët tuaj politikë. Njëkohësisht, ju premtoj se unë dhe tjerët si unë, asnjëherë nuk do ta ndalim luftën me fashistët dhe nacionalistët tonë, të cilët, siç e vëreni edhe vetë, po marrin hov të madh në proceset politike.
Vetëm kështu, dhe vetëm me një qasje të këtillë, të sinqertë, mund ta çojmë shtetin drejt qëllimit tonë – shoqëri, ligjet e të cilës sigurojnë mundësi të njëjta për të gjitha bashkësi etnike. Derisa të drejtat dhe shtetin i shohim si një thes patatesh, ku nëse njërit i jepet ndërsa tjetrit duhet ti merret diçka – ne vetëm edhe më thellë do të fundosemi në urrejtje, mllef dhe ndarje.
Përshëndetje miqësore!
© Argumentum