Ish-drejtorit të ALUIZNI-t për rajonin e Tiranës në vitet 2006-2011 Ferdinand Shehu i janë bllokohen 1.5 milionë euro pas një hetimi të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë.
Shehu ka qenë drejtor për Tiranën në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Urbane në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike.
Policia njofton se Shehu kohët e fundit, nëpërmjet një banke private ka tentuar transferimin e 1 milion eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat.
Policia e Shtetit deklaron se ish-drejtori i ALUIZNI-t ka konsumuar veprën penale të pastrimit të parave duke kryer disa investime në pasuritë e paluajtshme.
Gjithsesi, Ferdinand Shehu nuk është arrestuar, ndërkohë që sipas policisë do vijojnë hetimet për origjinën e shumës së bllokuar.
Por pse u shkarkua Shehu në 2011? Asokohe sipas AKUIZNI-t, Ferdinand Shehu u shkarkua sepse fshehu punësimet e para vitit 1992.
Sipas ALUIZNI-t ai kishte punuar për 4 vite hetues, por edhe efektiv në Ministrinë e Rendit Publik, por nuk i kishte deklaruar në CV.
“Përmes manipulimeve në jetëshkrim, duke lënë jashtë tij një eksperiencë pune 4-vjeçare si hetues, në hetuesinë e rrethit të Vlorës (Urdhri nr.8, datë 22.8.1988 i Hetuesisë së Përgjithshme). Pa përfshirë këtu periudhën njëvjeçare të kryerjes se kursit, pranë Hetuesisë së Përgjithshme, gjithashtu e “fshirë” nga jetëshkrimi. Mungon në këtë jetëshkrim dhe detyra si efektiv në Ministrinë e Rendit Publik (shkresa nr. 272, datë 13.04.1992) në profilin e kriminalistikës”, thuhej në deklaratën e ALUIZNI-t në 2011 kur u shkarkua.