Nga Benjamin Bidder & Ann-Dorit Boy – “Der Spiegel”
Kur Vladimir Putin nisi pushtimin e Ukrainës, Aleksandra Prokopenko e la punën e saj në Bankën Qendrore Ruse në shenjë proteste. Në këtë intervistë, ajo shpjegon arsyet pse politika ekonomike e presidentit rus vazhdon të jetë e suksesshme, dhe çfarë mund të bëjë Perëndimi për ta dëmtuar vërtet Kremlinin. Prokopenko punon aktualisht në Berlin në Qendrën për Studime të Evropës Lindore dhe Ndërkombëtare (ZOiS).
Zonja Prokopenko, vitet e fundit presidenti rus Vladimir Putin e ka radikalizuar politikën e tij të brendshme dhe të jashtme, Ndërkohë politika e tij ekonomike ka mbetur çuditërisht pragmatike dhe konstante. Si e shpjegoni këtë?
Sepse Putin e ka kuptuar shumë qartë se perandori të mëdha si Perandoria Cariste dhe Bashkimi Sovjetik, u zhdukën për shkak të menaxhimit të dobët ekonomik. Për këtë arsye ai sigurohet që menaxhimi i ekonomisë ruse të jetë sa më jo-ideologjik, dhe të mbetet në duart e ekspertëve. Putini u beson plotësisht dhe nuk ndërhyn në punën e tyre.
Shifrat e habitshme të rritjes së Rusisë, janë vënë në dyshim prej kohësh. Cila është situata reale?
Në përgjithësi, shifrat zyrtare përputhen me realitetin. Sigurisht, gjendja ekonomike nuk është shumë e mirë, por jo e tmerrshme. Ekonomia u rrit ndjeshëm vitin e kaluar. Por nga ana tjetër po shohim shenja të qarta se të “mbinxehjes” së saj.
Çfarë do të thotë kjo?
Që ekonomia është rritur më shpejt sesa e lejon potenciali i saj. Tregu i punës është në kufirin e tij maksimal. Papunësia është në nivele të ulëta rekord. Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, po ndikon tashmë negativisht në prodhim. Pra është një situatë jo e shëndetshme, dhe ekonomia ruse nuk zotëron burimet e nevojshme për t’u zgjeruar kaq shpejt në një periudhë afatgjatë.
Edhe eksportet nuk kanë gjasa që të zgjerohen më tej. Nëse analizojmë statistikat, mund të shohim se një pjesë e madhe e rritjes ekonomike të vitit të kaluar, ka ardhur nga industritë e lidhura me mbrojtjen. Kjo varion nga industria e metaleve tek përpunimi i tekstilit, që po prodhon uniforma në një shkallë shumë të madhe.
A mund të ndikojë kjo tek ekonomia ruse dhe aftësinë e Rusisë për të vazhduar luftën?
Ne vazhdojmë të shohim problematika lokale. Një shembull, ishte mungesa e ndjeshme e vezëve në treg vitin e kaluar. Ka gjithmonë mungesa akute të personelit apo pengesa lokale në furnizimin e popullatës me ushqime të caktuara. Kjo është shkaktuar nga zinxhirët logjistikë, të cilët janë ndërprerë nga sanksionet e Perëndimit.
Sidoqoftë, ato zakonisht rilidhen. Por sot duhet të jenë më të gjata dhe më komplekse se në të kaluarën. Po ashtu do jenë më të shtrenjtë. Për momentin, kjo nuk duket veçanërisht kërcënuese. Megjithatë, në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, ky zhvillim nuk është i qëndrueshëm.
A është ky një problem për luftën e Putinit në Ukrainë?
Hapësira kohore 12 deri në 18 muaj, është vendimtare për zhvillimet në fushën e betejës, dhe unë nuk shoh ndonjë problem të rëndësishëm ekonomik për Rusinë.
Megjithatë, ju flisni për “trilemën e Putinit”. Çfarë nënkuptoni me këtë?
Putin ka përpara 3 detyra kryesore. Së pari, duhet të vazhdojë të financojë luftën. Së dyti, nuk duhet të përkeqësohet në mënyrë drastike standardi i jetesës së popullatës së përgjithshme. Së treti, ai duhet të sigurojë që ekonomia të mos e humbasë ekuilibrin e saj makroekonomik.
Do të jetë e vështirë që ai të përmbushë të tria detyrat në të njëjtën kohë. Sepse ato i kundërvihen njëra-tjetrës. Stabiliteti ekonomik kërkon një inflacion të ulët. Për të mbajtur nën kontroll normën e inflacionit, duhet të shkurtohen shpenzimet e qeverisë. Por kjo e fundit nuk është e mundur për shkak të kostos së luftës.
Qytetarët rusë duket se nuk po ndjejnë një rënie dramatike të standardeve të jetesës…
Rënia është një proces gradual. Për shembull, shihni tregun e makinave:Në Rusi mund të blihen ende makina, por tani në përgjithësi ato janë të markave kineze dhe jo perëndimore. Për të ruajtur standardin e jetesës në vend, herët a vonë do të duhet të merren vendime të caktuara, përfshirë ato mbi investimet. Atëherë Kremlini duhet të tregojë se cila detyrë është më e rëndësishme për të.
Cili është vlerësimi juaj mbi politikën e sanksioneve të Perëndimit?
Pse nuk vendosen kushte ndaj rusëve? Distancohuni nga regjimi, paguani para për Ukrainën, dhe më pas sanksionet do të dobësohen ose hiqen. Në fakt s’ka një ofertë të tillë. Kjo vlen edhe për shumë biznesmenë rusë:pasuritë e tyre në Perëndim janë bllokuar, ata nuk mund të udhëtojnë më. Janë shndërruar në të përbuzurit e sistemit ndërkombëtar.
Në skenë mbetet vetëm Putini, dhe ai u thotë:Qëndroni përkrah meje. Putini mund të jetë vërtet një Djall, por për shumë rusë ai është Djalli me të cilin dinë se si të merren vesh. Kësaj i shtohet edhe represioni në rritje dhe frika në rritje brenda Rusisë. E gjithë kjo po nxit në ndjejë fatalizmi tek të gjithë rusët.
A duhet që Perëndimi ta ndryshojë politikën e sanksioneve?
Mendoj se tani kemi arritur në një pikë, ku mund ta shohim fare qartë se masat e marra deri më tani nuk po funksionojnë sipas synimeve fillestare. Unë mendoj se nuk do të dëmtonte të eksperimentoja pak. Mjerisht, deri më tani BE-ja ka bërë të kundërtën:Ajo vetëm sa po e zgjeron regjistrin e saj të produkteve të ndaluara dhe rusëve të sanksionuar. A do ta dëmtojë kjo seriozisht ekonominë ruse? Sigurisht që jo.
Çfarë sugjeroni?
Një qasje më të zgjuar:në vend se ta mbyllim Perëndimin ndaj parave ruse, ne mund të përpiqemi të stimulojmë daljen e kapitalit nga Rusia. Çdo miliard dollarë më pak në Rusi, do të thotë më pak mbështetje për makinerinë e luftës. Kur Banka Qendrore Ruse kishte vendosur tashmë kontrollet ndaj kapitalit, dhjetëra miliarda dollarë ishin ende jashtë vendit.
E pse Perëndimi të mos inkurajojë lëvizje të tilla? Unë besoj se ka ardhur koha që Perëndimi të bëjë gjithçka që ka në dorë për të inkurajuar ikjen e më të arsimuarve dhe largimin e kapitalit nga Rusia. Ky hap do të dëmtonte seriozisht regjimin e Putinit.
Marrë me shkurtime: “Der Spiegel“
Përktheu: Alket Goce