Ish-Komandanti i forcave të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Wesley Clark ishte të enjten në Shkup, ku u prit nga Kryeministri Zoran Zaev dhe nga Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti.
Zoti Zaev dhe zoti Clark biseduan lidhur me realitetin e ri, siç e kanë quajtur anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancën Veriatlantike të NATO-s, një synim strategjik i këtij vendi ballkanik, sipas kryeministrit maqedonas. Në takim është folur edhe për zhvillimet në rajon dhe gjendjen e sigurisë.
Gjenerali është zotuar se do të ndikojë në tërheqjen e investitorëve amerikanë drejt Maqedonisë së Veriut, sipas një komunikate nga zyra e Kryeministrit Zaev.
Gjenerali Clark pati një takim edhe me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Gjenerali në pension e ka cilësuar rolin e zotit Ahmeti si ‘legjendar’ në ndërtimin e shtetit të Maqedonisë (së Veriut) teksa ka shprehur mirënjohje për kontributin e tij në qëndrueshmërinë e këtij vendi.
Ndërkohë, Ali Ahmeti ka theksuar se “Miqtë dhe aleatët nga SHBA gjithmonë kanë qenë forca e cila ka mbështetur popullin shqiptar në kohët më të vështira, por dhe në çastet më të mira”.
Gjenerali Clark u prit edhe nga Zëvendës-Kryeministri Artan Grubi, i ngarkuar për Sistemin politik dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve.