Ish kryeministri Sali Berisha dhe përkrahësit e tij hynë sot pasdite në selinë e Partisë Demokratike, pasi më herët Gjykata e Tiranës njohu sot zyrtarisht Kuvendin e thirrur prej tij më 11 Dhjetor, e për pasojë dhe vendimet që ky Kuvend mori. Zoti Berisha, sipas të cilit selia e Partisë tanimë i takon Komisionit të Rithemelimit, bëri thirrje për bashkimin e të gjithë demokratëve, pas një bisede që pati me zoti Enkelejd Alibeaj, i cili drejton partinë pas dorëheqjes së zotit Basha. Nga ana e tij zoti Alibeaj këmbënguli se vendimi i gjykatës nuk është i formës së prerë. Ai i qëndroi pozicionit të mbajtur dhe më parë, sipas të cilit PD nuk mund të ketë të ardhme me një person të shpallur “non grata” nga SHBA-të.
Pas shumë muajsh zvarritje, Gjykata e Tiranës i dha sot të drejtë lëvizjes së ndërmarrë nga ish kryeministri Sali Berisha, duke njohur kuvendin e thirrur prej tij dhe vendimet e marra. Sipas zotit Ivi Kaso, përfaqësues ligjor i lëvizjes së ish kryeministrit, gjykata “ka vendosur në radhë të parë regjistrimin e statutit të PD të datës 11 dhjetor, regjistrimin e simboleve të reja, të vulës, së logos dhe flamurit të ri, si dhe të gjithë vendimeve të marra, nga numri 1 deri në 7. Vendimi ka hyrë në fuqi. Tashmë juridikisht, edhe juridikisht, selia e PD do të drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit”.
Por menjëherë pas tij, drejtuesi aktual i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, foli për një vendim në kufijtë e skandalit, të cilin do ta ankimojnë: “Është një vendim, ndaj të cilit ne do të ushtrojmë një ankim. Kushtetuta shqiptare, kodet e procedurës civile, ligji “Për partitë politike”, përcaktojnë që ndaj një vendimi që pasi zbardhet, madje edhe kur nuk zbardhet, brenda afatit 15 ditor ke të drejte që të paraqesësh ankim. Ne do të paraqesim një ankim. Vendimi merr formë të prerë, është i ekzekutueshëm vetëm kur shqyrtohet nga një instancë finale, vetëm nga Gjykata e Apelit”.
Por për ish kryeministrin Sali Berisha, loja tanimë ka mbaruar dhe nuk ka më hapësira për kundërshtime, apo interpretime. Ai dhe anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, u shfaqën pasdite në dyert e selisë së Partisë Demokratike. Ish kryeministri u ngjit lart në katin e dytë ku janë dhe zyrat e drejtuesve të partisë, ku zhvilloi një takim me zotin Alibeaj dhe Sekretarin e Përgjithshëm Gazmend Bardhi. Pas takimit, i cili nuk zgjati shumë, ai foli me tone paqësore për bisedën e zhvilluar duke i mëshuar frymës së bashkimit. “Kërkova angazhimin e tyre në procesin e bashkimit të PD, kontributin e tyre dhe të çdo demokrati. Mund të them se i gjeta të preokupuar për këtë proces, por natyrisht diferencat në mendime persistojnë”, u shpreh zoti Berisha.
Në fakt duket se nuk bëhet fjalë për diferenca të vogla, por për dallime që mbeten të thella. “Partia Demokratike, 30 vite nga krijimi i saj, nuk mund të mbrojë interesat e demokratëve, duke patur brenda saj, një individ, një profil politik, një deputet, aq më keq një kryetar partie, i cili është etiketuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si “non grata”, deklaroi zoti Alibeaj, menjëherë pas largimit të zotit Berisha nga selia, ndërsa tregoi bisedën e zhvilluar me të.
Zoti Berisha i qëndron pozicionit të tij të kahershëm, se vendimi i Sekretarit të Shtetit, Anthon Blinken, ndaj tij është ndikuar “nga lobimi i George Soros-it, për të ndihmuar Edi Ramën”, duke pretenduar në të njëjtën kohë se eksponentë më të lartë të Partisë Republikane në SHBA “e kanë konsideruar vendimin si të ndikuar politikisht”. Ai përsëriti se “në momentin që do të publikohet një provë e vetme se unë apo fëmijët e mi kanë përfituar qoftë dhe një qindarkë, marr çdo qëndrim. Përndryshe qëndroj shqiptar krenar, i palëkundur në besimin te sovraniteti i vendit tim”.
Nga ana e tij, zoti Alibeaj këmbënguli gjithashtu, se e vetmja zgjidhje do të ishte që zoti Berisha të tërhiqej nga synimi për të marrë drejtimin e partisë, duke bërë një hap pas, sikundër kishte bërë dhe zoti Basha nga ana e tij. Por përgjigja që kishte marrë ishte se “Jo. Nuk e pranon. Do të vazhdojë në trajektoren e vet. Pretendon që ka një shumicë. Do të vijojë me veprimtarinë që ka parashikuar, që tregon se kjo nuk është shenjë për bashkimin”, tregoi zoti Alibeaj.
Situata tanimë është dhe më e komplikuar se më parë. Me vendimin e sotëm të gjykatës, ish kryeministri ka marrë një mbështetje të fortë, e cila duket të jetë për të, dhe një arsye më shumë për të mos u tërhequr nga rruga e nisur. Sipas zotit Berisha, tanimë organet e Partisë Demokratike nuk ekzistojnë, dhe se Komisioni i Rithemelimit “do të vendoset në selinë legjitime, siç e përcakton statuti”. Por në të kundërt, zoti Alibeaj u shpreh se institucionet e partisë mbeten po ato që janë aktualisht.