Ish-kryeministri Sali Berisha do të jetë në parlament ditën e premte, me nisjen e punimeve në legjislaturën e re. Kështu deklaroi vetë ai në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, duke theksuar se prania e tij në Kuvend do të jetë në përputhje të plotë me vullnetin e shqiptarëve.
“Unë nuk fshihem prapa mandatit”, u shpreh z. Berisha.
Sali Berisha tha se sovraniteti i vendit është shprehur me votën e qytetarëve, ndaj në asnjë lloj rrethane ai nuk mund “ta shkelmojë sovranitetin e Shqipërisë”.
Ish-kryeministri theksoi se nuk do të ketë tërheqje nga ana e tij.
I pyetur nga Erla Mëhilli se si do të vepronte nëse PD do të vendoste për ta përjashtuar nga grupi parlamentar, Berisha deklaroi se do të bënte gjithçka për të rikthyer Partinë Demokratike në vlerat e saj themeltare, nëse kjo parti do të fillonte të kishte qëndrime joparimore.
“Nëse PD apo kushdo tjetër do ndërmerrte një vendim aparimor, Sali Berisha do bënte gjithcka që PD të bëhej ajo që ka qenë, parti e parimeve. Asnjë lloj kufizimi nuk mund të kem unë në kuadrin ligjor kushtetues për rikthimin e PD në vlerat për të cilat është reformuar”, tha Sali Berisha.
Ish-kryeministri mohoi pretendimet se ka drejtuar në një farë mënyre Partinë Demokratike gjatë këtyre viteve, por pranoi se ka një influencë fuqishme.
Këtë influencë ai e lidhi me angazhimin e tij në lidhje me denoncimin e padrejtësive, ku tha se ka “denoncuar më shumë se kushdo tjetër korrupsionin dhe krimin e organizuar, kur të tjerët kanë frikë të përmendin emra”./Euronewsalbania