Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku është ftuar për intervistim nga Gjykatën Speciale për Krimet e Luftës në Hagë (Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar).
Ai është ftuar në cilësinë e të dyshuarit.
Çeku konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se intervistimi nga ana e prokurorëve është caktuar për datën 28 shtator.
Çeku ka qenë edhe zëvendësministër i Forcës së Sigurisë të Kosovës. Ai ishte pjesëmarrës në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kroaci.
Gjykata Speciale në Hagë po heton krimet e pretenduara nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari 1998 deri në dhjetor 2000, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës 2011. Autori i raportit është ish-senatori zviceran, Dick Marty.
Ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Hagës që nga janari 2019, si të dyshuar ose si dëshmitarë.
Deri më tani, presidenti aktual Hashim Thaçi, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ish-kryetari i parlamentit Kadri Veseli dhe ish-udhëheqës e tjerë të UÇK-së përfshirë, Azem Syla, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, etj janë ftuar për intervistim.
Aktakuzat e para u paraqitën në gjykatë në shkurt, dhe pastaj në prill. Aktakuza kundër presidentit të Kosovës, Thaçi, e cila u paraqit në prill, aktualisht është duke u shqyrtuar.
Deri më tani, asnjë aktakuzë nuk është konfirmuar ose hedhur poshtë publikisht. Gjyqtari ka gjashtë muaj për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.