Udhëheqësi i opozitës shqiptare Sali Berisha, ish-presidenti dhe kryeministri i vendit, humbi të hënën apelin e tij kundër ndalimit të hyrjes në Britani për lidhje të dyshuara kriminale.
Berisha, kreu i Partisë Demokratike kryesore të opozitës në Shqipëri, u përjashtua nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 2022 për lidhjet e tij të dyshuara me krimin e organizuar dhe korrupsionin, të cilin Berisha e mohon, shkruan Reuters.
Ai apeloi kundër vendimit në Komisionin Special të Apelimit të Emigracionit (SIAC) në Londër në mars, duke argumentuar se ai u ndalua nga MB në bazë të pohimeve të rreme të paprovuara.
SIAC hodhi poshtë sfidën e Berishës në një vendim me shkrim të hënën.
Vendimi i Britanisë për të ndaluar Berishën nga vendi erdhi një vit pasi ai u përjashtua nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion të dyshuar dhe abuzim me pushtetin.
Reagimi z. Berisha:
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot pas vendimit të Komisionit të Posaçëm të Apelimit për Migracionin (SIAC), i cili la në fuqi vendimin e “Home Office”, lidhur me përjashtimin e tij nga Britania e Madhe.
“Në gusht të vitit 2022, une fillova procedurën e kundërshtimit të vendimit te State Secretary of Home Department (Home Office) të BM për përjashtimin tim nga ky vend, që m’u komunikua në datë 21 Korrik 2022, fillimisht nga Edi Rama në parlament dhe pastaj nga qeveria britanike. Procedura e ankimimit parashikonte fillimin e detyrueshëm të saj pranë Komisionit të Posaçëm të Apelimit për Migracionin (SIAC), përpara se palët të shkojnë në gjykatë”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, “procesi në SIAC është vonuar përtej çfarëdolloj afati të arsyeshëm për të penguar zbulimin e të vërtetës”.
“Ky proces përfundoi sot, pas dy vitesh, me lënien në fuqi të vendimit të ‘Home Office’ nga Komisioni i Apelimit, duke dëshmuar kështu dështimin e plotë të këtij komisioni në goditjen e korrupsionit në segmente të administratës së Britanisë së Madhe”, tha ai.
Berisha u shpreh se “jo vetëm që SIAC nuk ka hetuar zbulimin e të vërtetës siç pohon vetë, por edhe se vendimi i Sekretares është marrë në bazë të artikujve të mediave të sponsorizuar nga Soros dhe deklaratave të kundershtarëve të tij politikë Rama, Basha, Veliaj”.
SIAC gjithashtu pohon në vendimin e tij se nuk ka vleresuar fare mijëra faqe prova dhe deshmi të paraqitura nga avokatët e Berishës, me pretendimin se janë paraqitur jashtë afati. Ndërkohë që ato janë dorëzuar absolutisht brenda afatit, por zyrtarët ligjorë të Home Office nuk ia kanë paraqitur Sekretares të këtij institucioni me qëllim që ajo të mos njihej me përmbajtjejn e tyre dhe për rrjedhojë të mos pranoheshin më pas nga SIAC, meqë Sekretarja nuk i kish patur para saj në momentin e marrjes së vendimit”, u shpreh Berisha ndërsa akuzoi ambasadorin e Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King Smith për përjashtim të qëllimshëm të provave.
Berisha tha se “nuk ka asnjë provë apo fakt për asnjë veprim të paligjshëm nga lideri i opozitës, por duken qartë se janë përpjekje për të ndaluar opozitën të sfidojë pushtetin e korruptuar, që eksporton krim të organizuar por që pranon të marrë refugjatë sipas dëshirës së kërkuesve/lobuesve”.
/Argumentum.al