Projekt-rezoluta e mazhorancës, sa i përket ndërhyrjes së huaj në proceset elektorale në Shqipëri me theks Moskën, nisi sot diskutimet në Komisionin Parlamentar të Punëve të Jashtme.
Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e ka “rrëzuar” rezolutën për ndërhyrjet e huaja në zgjedhje në mbledhjen e Komisionit për Politikën e Jashtme.
Në Komisionin e Jashtëm, ku po prezantohet kjo rezolutë, ish-ministri Bushati tha se komisioni dhe Parlamenti po futen në ujëra të turbullta me këtë rezolutë, duke shtuar se ka ikur koha, kur i shpallej luftë shteteve.
“A është konsultuar kjo inciativë me qeverinë shqiptare? Duhet të kemi një opinion të firmosur nga qeveria shqiptare. Është njësoj sikur një nga ne të marrë një nismë dhe të propozojë që TVSH të hiqet fare dhe të mos ketë një opinion nga qeveria që është gardiani i buxhetit. Qeveria shqiptare është institucioni përgjegjës. Nuk dua t’i hyj këtij diskutimi sepse unë pa pasur qëndrimin e qeverisë shqiptare nuk dua që të hyj në ujëra të turbullta. Koha kur i shpallnim luftë shteteve ka përfunduar.
E kam bërë kërkimin për këtë gjë dhe më rezulton se asnjë prej parlamenteve kombëtare nuk ka shkuar në këtë proces sepse detyra e BE është e ndryshme. Cilat janë vendet e Ballkanit që e kanë marrë një nismë të tillë dhe që na shtyn ne të marrim një nismë të tillë? Vetëm pak javë më vonë Shqipëria zyrtarizon kryesimin e OSBE. Jemi një vend Trojkë me Italinë dhe Sllovakinë. Kemi marrë disa zotime aty. Te opinioni i qeverisë duhet të dimë dhe qëndrimin e Sllovakisë dhe Italisë. Janë detyrime tonat ndërkombëtare”, ka thënë Bushati.