Në një prononcim ish-papa Benedikt XVI u kërkoi falje viktimave të abuzimeve seksuale në Kishën Katolike. Por ai hodhi poshtë kategorikisht akuzat ndaj tij, sipas të cilave ai i ka mbuluar rastet e abuzimeve.
Ish-papa Benedikt sot 94 vjeçar, në letrën e tij bën fjalë për “turp thellësisht dhe dhimbje të madhe”.
“Unë kam mbajtur përgjegjësi të madhe në Kishën Katolike. Edhe më e madhe është dhimbja ime për abuzimet dhe gabimet, që kanë ndodhur në kohën e shërbimit tim në vende përkatëse ku ato kanë ndodhur”, shkruan Papa i tërhequr nga pontifikati në prononcimin e tij, publikuar nga Vatikani dhe lexuar në një video në internet nga sekretari i tij privat Georg Gänswein. Në të Benedikti shpreh “turp të thellë”, “dhimbje të madhe dhe “një lutje të sinqertë për ndjesë ndaj të gjitha viktimave të abuzimit seksual”.
Njëkohësisht 94 vjeçari kategorikisht hedh poshtë akuzat, se ai si Kryeipeshkv i Mynihut (1977-1982) i ka mbuluar rastet e abuzimeve. Ai gjithashtu nënvizon, se as ka gënjyer dhe as ka retushuar në deklarimet e tij për ekspertizën e publikuar në fund të janarit nga avokatia Westpfahl Spilker Wastl (WSW).
Këto akuza hidhen poshtë kategorikisht në një “faktencheck” (verifikim faktesh) të publikuar nga avokatët e këshilltarët e Ratzingerit (ish-Papa Benedikti): “Ekspertiza nuk përmban asnjë dëshmi për akuzën e qendrimit të gabuar ose të bashkëveprimit për ndihmë në fshehjen e fakteve”, thuhet në të. “Si kryeipeshkv kardinali Ratzinger nuk ka qenë i involvuar në fshehjen e akteve të abuzimit.”
Reagimet ndaj kësaj deklarate luhaten. Nga një anë kritika me zhgënjim deri në vlerësimin si “një qëndrim çlirues”. Juristi kishtar Thomas Schüller e konsideron deklaratën e Benediktit të pamjaftueshme. Ai flet për gabime dhe abuzime, por e përjashton veten. “Pra sikur forca që mbeten anonime janë ato që kanë bërë gabime në kryeipeshkvinë Mynih-Freising, e jo ai”, kritikon Schüller, i cili drejton Institutin e së Drejtës Katolike në Universitetin e Mynsterit. “Ai nuk merr përsipër përgjegjësi personale dhe nuk nxjerr konsekuenca personale”, thotë eksperti.
Nisma e viktimave të abuzimit “Eckiger Tisch” është shprehur e zhgënjyer e madje edhe e indinjuar: “Dhimbje dhe turp – të prekurit nuk mund ta dëgjojnë më këtë”, komunikoi kjo nismë. “Dekalara e ish-Papës i shtohet relativizimeve të vazhdueshme që i bën kisha çështjes së abuzimeve: Abuzime dhe gabime kanë ndodhur, por askush nuk merr përgjegjësi konkrete.”/dw