Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është paraqitur për herë të parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, pasi më 5 nëntor u konfirmua aktakuza ndaj tij.
Përveç Thaçit, Specialja ka konfirmuar aktakuzën edhe ndaj tre pjesëtarëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit.
Gjyqtari: Ju akuzoheni për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, krim lufte, akte të tjera cnjerëzore, trajtim mizor si krim lufte, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme si krim lufte dhe zhdukje me forcë e personave .
Këto krime u kryen në vitet 98-99, në disa vende, Llapushnik, Drenas, Ferizaj, Gjilan, Jabllanicë, Skënderaj, Malishevë, Klinë, Novobërdë, Prizren dhe Viti, në Kukës e Cahan në Shqipërinë Veriore.
Gjatë fjalës së tij, ish-kreu i shtetit të Kosovës u shpreh i bindur në pafajësinë e tij. Ai i cilësoi akuzat e diktuara si tërësisht “të paqëndrueshme”.
“Aktakuza është e krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht. E përsëris: akuza është krejt e paqëndrueshme, deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzave dhe i cilësoj si të paqëndrueshme. Faleminderit!”, theksoi Thaçi.
Pala mbrojtëse tha se janë ngritur akuza të rënda nga libri i Carla Del Ponte, më pas në Raportin e DickMartin, por sipas tij asnjë nga këto pretendime nuk reflektohet në akuzat e Prokurorisë.
Avokati i Hashim Thaçit tha se ai do të kërkojë që ish-Presidenti të lirohet nga burgimi dhe se ai nuk përbën rrezik për t’u larguar jashtë vendit. Sipas tij Hashim Thaçi s’ka penguar ngritjen e Gjykatës Speciale, madje duke e përkufizuar atë si “mamia” e kësaj nisme të Komisionit Europian.
“Ku janë pretendimet për vjedhjen e organeve njerëzore? Dhe historia e Shtëpisë së Verdhe që ishte kaq e rëndësishme në nxitjen për krijimin e kësaj gjykate?
Duke ndjekur atë gjysme faqe dramatike në librin e Carla Del Ponte dhe që u shoqërua më pas në raportin e Dick Martin?
Gjykata e Kosovës, por s’ka këtu asgjë nga Kosova, asnjë emblemë nga Kosova? Mund ti kushtohet diçka kësaj, mund të kishim një embleme të Kosovës, mund të kishit veshur teshat e avokatëve të Kosovës.
Është e rëndësishme ta sjellin kostumin tonë në këtë sallë.
Zoti Thaçi e dinte që këto pretendime ishin gjepura, ndaj ai i ndihmoi Komisionin Europian në ngritjen e kësaj Gjykate. Pra ai ishte mamia e kësaj gjykate nuk mbajti qëndrime kundra.
Asgjë në këtë akt-akuzë nuk flet për vjedhjen e organeve, dhe krimet e tmerrshme që u ngritën.
Ne u çuditem që ju e gjykuat të nevojshëm arrestimin e zotit Thaçi, ndërkohë që kjo mund të behej me një fletë thirrje.
Unë kam ndërmend të kërkoj lirimin përkohshëm të Hashim Thaçit! Hashim Thaçi është një burrë që ka arritur shumë dhe nuk i meriton këto pretendime”, tha Avokati i Hashim Thaçit.