Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare ne Maqedoninë e Veriut kanë tërhequr si rrallë herë vëmëndjen por dhe angazhimin e partive politike në Shqipëri.
Pasi u fol shumë për mbështetjen që Kryeministri Rama duket se po i jep Ali Ahmetit dhe kolicionit të tij, njëkohësisht edhe LSDM-së pasi si me homologun e tij Zaev dhe Kovacevski kanë bashkëpunuar ngushtësisht. Gjithashtu pasi është kritikuar këtej dhe andej kufirit mbështetja që Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po i jep bllokut tjetër opozitar shqiptar “VLEN”, edhe opozita në Shqipëri ka preferencat e saj në këto zgjedhje.
Në fushatën elektorale tashmë të shtrirë dhe në Shqipëri, del në skene ish-presidenti Meta, i cili duket se pret fitoren e partisë më të madhe opozitare maqedoanse, VMRO-DPMNE, me bindjen se ka mësuar nga gabimet e së kaluarës.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se fitorja e pritshme e VMRO-DPMNE në zgjedhjet e afërta do t’i japë një dimension të ri zhvillimit ekonomik të Maqedonisë së Veriut në të ardhmen, nga i cili do të përfitojnë të gjithë qytetarët e saj.
Sipas Metës, vizioni dhe politikat e saj në qeverisje e shndërruan Maqedoninë e Veriut, në vendin e 10-të në botë dhe të 5-të në Europë për klimën e biznesit dhe investimet e huaja.
“Të mos harrojmë se vizioni dhe politikat e saj në qeverisje e shndërruan Maqedoninë e Veriut, vendin e 10-të në botë dhe të 5-të në Europë për klimën e biznesit dhe investimet e huaja. Falë vizionit të VMRO-DPMNE, Maqedonia e Veriut shpërtheu për rritjen e bujqësisë dhe blegtorisë duke e nisur me 10 milionë euro financim në vit e duke e çuar në 200 milionë euro.
Ekipi i ri i VMRO-DPMNE besoj se ka mësuar mjaftueshëm nga gabimet e bëra në të kaluarën dhe pasojat e nepotizmit, të cilat eklipsuan arritjet e jashtëzakonshme ekonomike dhe sociale”, u shpreh Meta.
Ai shprehu besimin se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të ecë e sigurt në rrugën euroatlantike dhe përsëri shqiptarët do të jenë garancia kyçe për këtë.
Kujtojmë se VMRO-DPMNE aktualisht drejtohet nga Hristijan Mickoski i cili është në krye të kësaj partie nga viti 2017.
Ndërsa Nikola Gruevski ish-kryetari i Partisë VMRO-DPMNE dhe ish- kryeminister i Maqedonisë së Veriut është dënuar dhe mbetet i dyshuar në disa çështje korrupsioni, dhe është akuzuar për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe vepra të tjera penale të lidhura me kohën e tij si Kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2016. Ne vitin 2022 Gruevski u shpall “non ngrata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, por edhe në listën e Departamentit të Thesarit.
Duket se partitë shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, po ndërtojnë aleanca të reja dhe sytë i janë drejtuar pikërisht zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit dhe 8 majit në Maqedoninë e Veriut.
/Argumentum.al