Kur jemi vetëm 48 orë nga zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, ish Presidenti i Republikës Alfred Moisiu i është drejtuar përmes një mesazhi publik të gjithë qytetarëve shqiptarë.
“Dilni masivisht në zgjedhje me 25 prill dhe kryeni me dinjitet detyrën tuaj qytetare dhe kushtetuese, mos lejoni ta shisni votën dhe as ta jepni për kandidatë që nuk ju meritojnë”.
Mesazhi i plotë i ish presidentit Alfred Moisiu:
Të dashur bashkëqytetarë të mi!
Të nderuar shqiptarët e mi!
Vëllezër dhe motra!
Nuk kisha ndërmend të flisja, por rëndësia e këtyre zgjedhjeve, përgjegjësia qytetare dhe klima e tensionuar përpara zgjedhjeve më nxiti tju drejtohem me këtë mesazh.
Si ish President, si qytetar aktiv dhe si një prej jush që jetoni me ndershmëri dhe me shpresën për një Shqipëri më të mirë, dua të shpreh shqetësimin e thellë dhe papajtueshmërinë me klimën e tensionit artificial dhe ta panevojshëm, për incidentet e dhunshme dhe rastet e shkeljes së rregullave demokratike në prag të votimit të 25 prillit.
Pasnesër të gjithë do të shkojmë pranë kutive të votimit, për të shprehur vullnetin politik dhe të drejtën kushtetuese dhe qytetare.Këto zgjedhje nuk janë të parat, por të dhjetat prej 1990, çfarë tregon se ne kemi përvojë me Zgjedhjet dhe sot do të duhej të ishim një model për zgjedhje të lira e të ndershme. Fatkeqësisht, zhvillimet paraelektorale tregojnë se jo vetëm nuk kemi nxjerrëmësime, por po përsërisim të njëjtat gabime të së kaluarës. Shqipëria sot duhet të mësojë nga shembulli i Kosovës, një shtet i ri që bëri dy procese zgjedhore brenda një viti dhe na ofroi një leksion demokracie. Ata bënë zgjedhje të drejta, të lira, pa incidente, të gjithë njohën rezultatin dhe partitë fituese dhe humbëse morën përgjegjësinë e rezultatit.
Disa incidente të dhunshme, të realizuara nga militantë të partive politikë në disa qytete të vendit, janë të papranueshme, të dëmshme dhe meritojnë distancimin e plotë të politikës dhe të shoqërisë. Partitë nuk mund të zëvendësojnë institucionet e shtetit, partitë nuk mund të na marrin hapësirën publike dhe të drejtën e votës, partitë nuk mund ta kthejnë demokracinë në pikën zero për shkak të qëllimeve të tyre për të marrë pushtet me çdo kusht apo për të mbajtur pushtet me çdo kusht. Jeta dhe e drejta e çdo qytetari ka të njëjtën vlerë pavarësisht bindjeve politikë. Raportimet për presione për votën apo premtime absurde ekonomike, për trafikim të votës apo kërcënime, për forca sigurie të partive politikë apo gjuha kërcënuese dhe denigruese e politikanëve ndaj njëri tjetrit, janë gjithashtu një realitet që duhet refuzuar dhe që penalizon të ardhmen e vendit, shtetin dhe shoqërinë.
Duke qenë një nga mbështetësit më të fortë të reformës në drejtësi, kam pritur dhe pres që institucionet e reja të drejtësisë të japin drejtësi, të kenë kurajon për të hetuar dhe vendosur përpara drejtësisë çdo individë që shkel ligjin, pavarësisht rangut politik dhe ekonomik. Apeli im për drejtësinë është, o sot o kurrë, ndryshe heshtja e saj do të jetë bashkëfajtore për situatën e krijuar. Shqipëria nuk meriton të jetë delja e zezë e Ballkanit, ne duhet të tregojmë se shteti e institucionet janë më të forta sesa partitë, se interesi shtetëror e kombëtar është shumë më i madh sesa çdo interes tjetër politik para dhe pas 25 prillit. Nëse ka individë që duan të dalin mbi Kushtetutën dhe ligjin, drejtësia dhe ligji duhet të jenë përgjigjia zyrtare, vota qytetare duhet të jetë përgjigjia morale.
Të dashur qytetarë. Këshilla dhe apeli im është, ruani qetësinë, mos u frikësoni dhe u dorëzoni në përpjekjet për një Shqipëri më të paqtë, më të mirë dhe më të integruar. Dilni masivisht në zgjedhje me 25 prill dhe kryeni me dinjitet detyrën tuaj qytetare dhe kushtetuese, mos lejoni ta shisni votën dhe as ta jepni për kandidatë që nuk ju meritojnë.
Ju faleminderit!