Reforma zgjedhore, – mbyllet afati dhe dështon me sukses komisioni i parë, krijohet nënkomision i dytë, natyrisht pa asnjë garanci se nuk do të ketë të njëjtin fat!
Në tranzicionin shqiptar ka pasur raste të shumta të krizave të ashpra politike (bojkotime, protesta, bllokime, denigrim mes palëve, komisione hetimore dhe mosnjohje të rezultateve zgjedhore), por në fund, të gjithë janë rikthyer në bisedime (direkt ose me ndërmjetësim ndërkombëtar) për të rënë dakord për gjëra që palët ishin dakord edhe përpara krizave. Herën e fundit më 2020 palët ranë dakord të bënin reformë, madje nga ambasadat kryesore në Tiranë u tha se “përfaqësuesit e palëve në bisedime vunë interesat e vendit mbi ato personale”, por pa kaluar 60 ditë de facto marrëveshja ra, kur njëra palë përdori shumicën informale parlamentare për të ndryshuar Kushtetutën dhe pas saj, edhe Kodin Zgjedhor.
Ndryshojnë emrat ose pozicionet e tyre qeveri/opozitë, por qëllimi mbetet i njëjtë në çdo kohë: mazhorancat kujdesen të miratojnë bazë ligjore favorizuese ndaj tyre në garën elektorale të radhës, ose dy palët politike bien dakord të ndryshojnë bazën kushtetuese/ligjore për të ruajtur dominimin e plotë mbi sistemin zgjedhor dhe atë politik. Tabela e hartuar nga Instituti i Studimeve Politike / Institute for Political Studies (ISP) ilustron rastet më të njohura të pakteve zgjedhore, praktikë që vijoi edhe sot në parlament.
Në politikë dialogu është cilësi pozitive, kompromisi është përgjegjësi, reformat dhe parlamenti funksionalë janë nevojë jetike, por nëse ka raste kur duhet të jemi skeptik për marrëveshjen e radhës është kur bëhet fjalë për reforma zgjedhore. Sepse vetëm reformë nuk mund të ketë. As komisioni i posaçëm i reformës, as nënkomisioni i ri, nuk duan reformë dhe nuk synojnë reformë përfaqësimi, – kjo vjen ndesh dhe në konflikt interesi me qëllimet e tyre personale dhe kolektive, – mund të ketë retushime, korrektime, etj, por fjala “reformë” meriton më shumë respekt dhe integritet.
“Reformat” funksionale nuk bëhen çdo dy vjet sa herë ka zgjedhje, ato janë produkte lidershipit dhe përgjegjëshmërie, integriteti dhe vizioni, cilësi që rrallë e më rrallë gjenden në parlamentin e Shqipërisë dhe partitë tona politike, përfshirë PS, PD1, PD2, PL dhe 4-5 partitë minore në parlament.
/Argumentum.al