Në Itali sot u hapën vendvotimet për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.
Zgjedhjet e parakohshme erdhën pasi presidenti i Italisë Sergio Mattarella shpërndau parlamentin në korrik dhe shpalli zgjedhjet për më 25 shtator, duke shënuar fundin e qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Mario Draghi.
Gati 51 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë në një nga zgjedhjet më vendimtare të Italisë, ku mbi 4 milionë italianë që jetojnë jashtë kanë hedhur tashmë votën e tyre.
Rreth 51 për qind e votuesve janë gra në Itali, një vend me popullsi prej 59 milionë banorësh.
Votuesit do të mund të zgjedhin gjithashtu anëtarët e dhomës së sipërme të parlamentit, Senatit, për herë të pari në historinë italiane. Deri më tani ata mund të votonin vetëm për dhomën e ulët të parlamentit.
Votimi ka filluar në orën 7 të mëngjesit me orën lokale (05:00 GMT) dhe qendrat e votimit do të mbyllen në orën 23:00. (2100 GMT).
Italianët do të zgjedhin 200 senatorë dhe 400 deputetë.
Sipas sondazheve të fundit, koalicioni i krahut të djathtë është favorit për të marrë pushtetin, pasi Vëllezërit e Italisë, parti e udhëhequr nga Giorgia Meloni e ekstremit të djathtë, mund të fitojnë garën duke mbledhur shumicën e votave. Sondazhet treguan gjithashtu se Partia Demokratike e qendrës së majtë e udhëhequr nga Enrico Letta renditet e dyta, e ndjekur nga partia e ekstremit të djathtë Lega e udhëhequr nga Matteo Salvini.
Nëse zgjidhet, Meloni do të jetë kryeministrja e parë femër e Italisë dhe për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, vendi do të ketë një lider të ekstremit të djathtë.